
Policia e Shqipërisë sekuestron 400 mijë litra naftë të kontrabanduar në Durrës - VIDEO
Policia e Shqipërisë ka sekuestruar 400 mijë litra naftë dhe një anije, ku ishte e fshehur kjo sasi, në Durrës.
Sipas tyre, nafta vinte nga Tunizia dhe është gjetur në balastrat e anijes, të cilat shërbejnë për balancimin e mjetit dhe kishte për qëllim kontrabandimin.
Për këtë rast njoftohet se janë arrestuar gjashtë persona dhe se janë në hetim pesë të tjerë, prej tyre disa shqiptarë, sirianë dhe egjiptianë, të cilët ishin pjesëtarë të ekuipazhit të anijes.
Ndërsa, dy organizatorët e dyshuar, J. K. 31 vjeç dhe S. S. 32 vjeç, Policia thotë se janë shpallur në kërkim.
Policia e Shqipërisë thotë se kjo është realizuar gjatë një operacioni të quajtur “Ari i zi”, ndërsa dje, më 13.01.2025, gjatë po të njëjtit operacion, ata njoftojnë se kanë sekuestruar edhe 670 mijë litra naftë të kontrabanduar. Si dhe, janë identifikuar 10 persona të përfshirë në këtë rast.
“Në vijim të veprimeve policore, me qëllim goditjen e rasteve të kontrabandimit të sasive shumë të mëdha të naftës, nga Tunizia, me anije, Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare i DVP – Durrës, Antikontrabanda dhe Seksioni për Mbështetjen Operacionale të Hetimit të DVP – Durrës, Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare e DPPSh-së, Drejtoria e Kufirit dhe Migracionit – Durrës, Guardia di Finanza – Durrës, si dhe Dega e Doganës – Durrës finalizuan operacionin policor të koduar “Ari i zi 2.” – thuhet në njoftimin e datës 14.01.2025.
Tutje, thuhet se gjatë operacionit janë arrestuar në flagrancë shtetasit sirianë M. S., 56 vjeç, kapiten i anijes; W. B., 42 vjeç, ndihmës i oficerit të parë; H. B., 47 vjeç, shef i inxhinierëve; S. Sh., 25 vjeç, shef i Ofiçinës; F. I., 23 vjeç, mirëmbajtës i pompave të naftës; si dhe, shtetasi shqiptar N. M., 34 vjeç, oficer i parë i anijes.
Policia e Shqipërisë njofton se gjatë këtij operacioni janë referuar materialet në Prokurori, ku ka nisur procedimi në gjendje të lirë për pesë pjesëtarët e tjerë të ekuipazhit të anijes e të cilët, sipas tyre, ishin përgjegjës për mirëmbajtjen e mjetit.
“Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.” – thuhet në njoftim.