Policia e Shqipërisë: I dyshuari për vjedhjen e veturës së ministrit Liburn Aliu është një 43-vjeçar nga Obiliqi

Policia e Shqipërisë ka thënë se i dyshuari për vjedhjen e veturës zyrtare të ministrit Liburn Aliu është një 43-vjeçar me inicialet B.S. nga Obiliqi.

Përmes një komunikate për media, Policia shqiptare ka bërë të ditur se i dyshuari është arrestuar për veprën penale – trafikim i mjeteve motorike.

“Gjatë verifikimit ka rezultuar se automjeti që drejtonte 43-vjeçari, ishte i vjedhur në Kosovë dhe ishte në pronësi të një institucioni shtetëror. Në përfundim të veprimeve proceduriale, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Tropojë arrestuan në flagrancë, për veprën penale “Trafikimi i mjeteve motorike”, shtetasin B. S., 43 vjeç, banues në Obiliq, Kosovë” – thuhet në komunikatën e Policisë shqiptare.

Rasti i ka kaluar Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor në Tropojë për veprime të mëtejshme.

Policia jep detaje për vjedhjen e veturës zyrtare të ministrit Liburn Aliu