
Policia e Rajonit Mitrovicë-Jugu: Shënohet rënie e rasteve të vrasjeve, grabitjeve e vjedhjeve në krahasim me vitin 2023
Drejtoria Rajonale Mitrovicë-Jugu e Policisë së Kosovës më 22.01.2025 ka prezantuar punën, angazhimet dhe aktivitetet e realizuara gjatë vitit 2024.
Të pranishëm ishin drejtoresha Afërdita Mikullovci, drejtori i Departamentit të Rendit Publik, Arbnesh Ajvazi, si dhe mysafirë nga institucionet e tjera.
Në njoftimin e Drejtorisë theksohet se janë ndërmarrë një mori aktivitetesh parandaluese duke përfshirë realizimin e projekteve, fushatave, dhe ligjëratave me tema të ndryshme që prekin interesin dhe sigurinë e qytetarit, me mbi 50% në krahasim me vitin 2023.
Gjithashtu drejtoresha Mikullovci thotë se ka pasur rënie të numrit të përgjithshëm të rasteve për 7.6% si dhe të veprave penale për 9.8% në krahasim me vitin 2023.
“Po ashtu gjatë vitit 2024 rezultate pozitive janë shënuar në zbulueshmerinë e rasteve prej 80.0% si dhe rënie të veprave penale si ato të rasteve: vrasje -75.0%, grabitje -75.0%, vjedhje -43.2%, zvogëlimi i numrit të aksidenteve në trafik -3.0%, ngritje e numrit të konfiskimit të armëve pa leje me +22.9% ne krahasim me vitin paraprak”- thuhet në njoftim.
Në fund të prezantimit, për zyrtarët meritorë gjatë vitit 2024 janë shpërndanë mirënjohje.
“Rezultatet janë të përbashkëta që kanë rezultuar në parandalimin e këtyre veprave, ku përveç përkushtimit të policisë, esenciale mbetet përkrahja dhe bashkëpunimi me qytetarët si dhe me institucionet përkatëse”- shprehet falënderuese Mikullovci.