Policia e Qëndron Kastrati me qëndrime të kundërta për dëmtimin e objektit të Kishës Ortodokse në Shipashnicë të Poshtme

Kryetari i Komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati ka njoftuar se në Shipashnicë të Poshtme, është dëmtuar Kisha Ortodokse.

Kastrati përmes një postimi në facebook, kishte thënë që veprime të tilla janë vandale dhe të papranueshme.

“Sot në Shipashnicë të Poshtme, është dëmtuar Kisha Ortodokse, duke shkatërruar hapësirat e brendshme të saj. Veprime të tilla vandale janë të papranueshme. Huliganizmi ndaj objekteve fetare është i papranueshëm. Është e rëndësisë vitale që komunitetet e ndryshme të gjejnë të përbashkëtat e tyre në vend se të ndahen nga dallimet e presupozuara që mund t’i kenë”, ka shkruar i pari i Kamenicës.

Por, komandanti i policisë Florim Klaiqi në një prononcim për KALLXO.com ka thënë se në objektin në fjalë është rrezuar vetëm një mbajtëse e qirinjve.

“Vetëm një mbajtëse e qirinjve është rrëzuar, por objekti është i vjetër dhe para shkatërrimit, përgjegjësi i kishës e ka raportuar rastin. Ka mundësi që edhe ka hyrë dikush, me urdhër të prokurorit ka mbetur vetëm shënim zyrtar, nuk ka ndonjë të dyshuar. Mbajtësja e qirinjve ka pasur mundësi të rrëzohet edhe vet, rasti është raportuar sot rreth orës 15:00”, tha ai.