Policia e Pejës shpall një person të dyshuar në kërkim

Policia në Pejë ka shpallur sot një person të dyshuar në kërkim.

Policia me autorizim të Prokurorisë në Pejë ka publikuar fotografinë e të dyshuarit Kristë Nua, 36 vjeçar, nga fshati Budisalc i Klinës i cili po kërkohet nga Gjykata në Pejë- dega në Kinë dhe Gjykata në Gjakovë.

Sipas policisë, i dyshuari po kërkohet për tri raste të posedimit të paautorizuar të armëve, një rast të falsifikimit të parasë dhe një rast të rrezikimit të trafikut publik.

Policia në Pejë ka kërkuar ndihmë nga qytetarët që kushdo që ka informacion për vendndodhjen e personit të dyshuar në foton e bashkangjitur, të lajmërojë Policinë e Kosovës apo të lajmërohet në stacionin më të afërt policor.

Policia po ashtu ka njoftuar se çdo të premte do të publikojë nga një ose më shumë persona në kërkim, për të cilët kërkohet ndihma e qytetarëve me qëllim sjelljen e tyre para drejtësisë.

Numrat e telefonit dhe adresat elektronike kontaktuese për të kontaktuar Policinë e Kosovës janë 192 dhe 080019999, 039 432 327-Drejtoria Rajonale Pejë, si dhe ne e-mail adresën [email protected]