Policia e Kosovës tregon rezultatet e veprimeve të përbashkëta me EUROPOL-in, INTERPOL-in dhe FRONTEX-in

Policia e Kosovës ka qenë pjesë e veprimeve të përbashkëta me EUROPOL-in, INTERPOL-in dhe FRONTEX-in në parandalimin dhe luftim të trafikimit me njerëz.

Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Njerëz e Policisë së Kosovës ka qenë pjesë e zbatimit të operacionit ‘OPERATION CHAIN’, të zhvilluar njëkohësisht në 47 shtete të botës.

Sipas njoftimit, Policia e Kosovës nga data 8 maj deri më 14 maj 2023, ka zbatuar planin operativ ‘Stuhia 2023’, me shtrirje në të gjithë vendin.

Në operacion janë përfshirë 262 zyrtarë nga PK-ja dhe institucionet e lartëcekura, ku në terren janë ndërmarrë këto veprime: Operacione në rrugë, sheshe dhe qendra tregtare për identifikimin e fëmijëve në situatë rruge, inspektimin/kontrollimin e lokaleve ‘Muzikë Live’, inspektimin/kontrollimin e qendrave të masazhit’, kontrolle të shtuara në të gjitha pikë-kalimet kufitare.

Në komunikatën e Policisë thuhet se nga veprimet e ndërmarra janë arritur këto rezultate:

– Identifikimi i 3 viktimave të trafikimit dhe i 11 viktimave të supozuara të trafikimit, te cilat janë referuar për shërbime dhe trajtim sipas procedurave,

– Arrestimi i 14 personave të dyshuar për veprën e trafikimit dhe veprave të tjera që ndërlidhen me trafikimin me njerëz,

– Referimi i 6 rasteve në stacione policore për armëmbajtje pa leje, dëmtim të vulave zyrtare dhe hapje ilegale të lokaleve të mbyllura,

– Inspektimi/kontrollimi i 55 lokaleve ‘Muzike Live’, në të cilat janë legjitimuar 377 punëtorë, nga te cilët 275 të gjinisë femërore, 188 shtetas të huaj. Nga lokalet e kontrolluara, 15 janë mbyllur nga institucioni përkatës për shkelje administrative,

– Inspektim i 51 qendrave të masazhit, në të cilat janë legjitimuar gjithsej 153 punëtore, nga të cilët 129 të gjinisë femërore dhe 33 shtetas të huaj.

Tutje Policia ka njoftuar se prej këtyre qendrave të masazhit, 17 janë mbyllur nga institucioni përkatës për shkelje administrative.