Ilustrim, Policia e Kosovës Foto: Facebook

Policia e Kosovës tregon nëse do të hapet përsëri konkurs për pranimin e policëve në veri

Pas dorëheqjes të qindra zyrtarëve policorë të komunitetit serb në nëntor të vitit të kaluar në veri të Kosovës, Policia e vendit, më 5 janar kishte hapur konkurs të veçuar për punësim të zyrtarëve në Drejtorinë Rajonale të Mitrovicës – Veri.

Për këtë konkurs që ishte vetëm për komunitete, numri i kandidatëve që kanë kaluar të gjitha fazat e testimeve, e që do të fillojnë shkollimin e tyre në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike, parashihet të jetë 80 deri në 90 kadetë.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani në një konferencë për media të mërkurën tha se pritet që shpejt të hapet edhe një konkurs i radhës për pranimin e zyrtarëve policorë.

Ai u pyet nëse ky konkurs do të jetë prapë i paraparë vetëm për komunitete, përderisa përgjigja e tij tha se “mund të jetë edhe ky konkurs që do t’i dedikohet kryesisht komuniteteve”.

“Besoj që sipas vlerësimeve, ka nevojë që të ketë ende kadetë apo zyrtarë policor të komuniteteve tjera, siç ka qenë edhe konkursi i fundit, e mund të jetë edhe ky konkurs që do t’i dedikohet kryesisht komuniteteve, por nuk përjashtohen edhe konkurset e tjera të radhës që do t’i dedikohen të gjitha komuniteteve, përfshirë edhe komunitetit shqiptar” – tha Kelani.

Kelani njoftoi se të martën është bërë publike lista e pjesës së dytë të konkursit të shpallur më 27 tetor 2021.

Zëdhënësi tha se në listën e pritjes në këtë konkurs, aktiv kanë mbetur edhe 370 kandidatë të cilët pritet të vazhdojnë në gjeneratën e 58 të Policisë së Kosovës.

Përderisa, gjenerata e 57-të, e e cila është e përbërë nga kandidatët e pjesa së parë të konkursit të 2021-ës, veçse kanë diplomuar dhe janë në terren duke kryer punët e caktuara.

Kelani tregoi se 370 kandidatët që kanë qenë në listë të pritjes dhe kandidatët që i kanë kaluar testimet për konkursin për policë në veri, pritet që nga 12 prilli të fillojnë shkollimin e tyre në akademinë policore.