Policia e Kosovës sekuestron 75 mijë euro të padeklaruara në një automjet në pikën kufitare në Merdarë- FOTO

Shtatëdhjetë e pesë mijë euro bankënota të padeklaruara janë gjetur nga Policia e Kosovës në një automjet me targa RKS në të cilin gjendeshin tre persona, në pikën kufitare në Merdarë.

“Policia Kufitare, në kuadër të planit operativ me karakter ndërkombëtar, realizuar në bashkëpunim me Frontex, “Ditët e Veprimit të Përbashkët – JAD Mobile 7”, më datën 15.10.2024, në pikëkalimin kufitar në Merdare, në dalje të RKS-së, gjatë kontrolleve të shtuara është bërë kontrollimi i automjetit me targa RKS, në të cilin gjendeshin tre persona meshkuj kosovarë. Gjatë kontrollit të automjetit janë gjetur 75 000 (shtatëdhjetë e pesë mijë) euro bankënota të padeklaruara”- thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.

Sipas organeve të rendit fillimisht tek tre personat janë gjetur nga 10 000 (dhjetë mijë) euro bankënota, gjersa gjatë kontrollit të mëtejshëm në një qese plastike të fshehur nën ulësen e prapme të automjetit është gjetur edhe një shumë prej 45 000 (dyzet e pesë mijë) euro bankënota të padeklaruara.

Mjetet e padeklaruara sipas Policisë së Kosovës janë sekuestruar dhe dërguar në agjensionin kompentent për procedurë të mëtutjeshme.