Njësia Speciale e Policisë së Kosovës - Foto: KALLXO.com

Policia e Kosovës po planifikon të blejë 3,250 jelekë antiplumb

600 copë jelekë antiplumb të brendshëm, 2 mijë e 300 antiplumb të jashtëm dhe 350 antiplumb taktike për Njësi Speciale po planifikon të blejë Policia e Kosovës.

Tenderi për furnizim me jelekë antiplumb është shpallur më 6 qershor, pra muajin e kaluar nga Policia e Kosovës në faqen zyrtare të E-Prokurimit, ndërsa vlera e parashikuar e kësaj kontrate do t’i kushtoj policisë deri në 3 milionë e 799 mijë e 800 euro, kjo varësisht nga ofertat më të ulëta të operatorëve ekonomik të cilët mund të aplikojnë në tender.

Njëri nga antiplumat për të cilat ka hapur tender Policia e Kosovës, është antiplumb i cili vishet nën rroba dhe peshon më pak se 3 kilogram gjithashtu nuk është i dukshëm për syrin e publikut, ndërsa dy llojet e tjera të antiplumave njëri 8 kilogram dhe ai për Njësitë Speciale 10 kilogram vishen mbi uniformën policore dhe janë të dukshëm.

Jelekët antiplumb që po planifikohen te blihen nga Policia e Kosovës për Njësinë Speciale, Foto: Policia e Kosovës

 

Në tender është theksuar se të gjitha materialet përbërëse të jelekëve antiplumb nuk do të pranohen nëse janë me origjinë kineze.

Që nga 16 qershori deri më 7 korrik, Policia e Kosovës sipas dosjes së tenderit të publikuar në E-Prokurim, ka shpjeguar në detaje kërkesat e operatorëve ekonomik të cilët kanë kërkuar sqarime dhe specifika të jelekëve antiplumb.

Antiplumbi i brendshëm, Foto: Policia e Kosovës
Antiplumbi i jashtëm, Foto: KALLXO.com

Pas përgjigjeve, më 19 korrik të këtij viti, Policia e Kosovës vendosi që të pezulloj tenderin për arsye të ankesave të cilat i kishin parashtruar operatorët ekonomik të interesuar për ta furnizuar me jelekë antiplumb policinë.

Më 22 korrik të këtij muaji policia vendosi që të refuzoj ankesën e operatorëve ekonomik si të pabazuar.

“Operatori Ekonomik Ing Consulting sh.p.k- Prishtinë, Poligoni i Shenjtërisë Katana sh.p.k- Obiliq, Lenti dhe Armakos Group sh.p.k- Prizren si palë të pakënaqur kanë parashtruar kërkesë për rishqyrtim tek AK me datë 16 korrik 2021 kundër njoftimit për tenderin “Furnizim me Antiplumba” duke pretenduar se janë bërë shkelje të dispozitave të Ligjit për Prokurimin Publik”, thuhet në vendimin e Policisë së Kosovës.

Pas refuzimit të ankesës së operatorëve ekonomik, Policia e Kosovës në E-Prokurim ka bashkëngjitur një njoftim tjetër apo formular standard në të cilin thuhet se afati i dorëzimit të tenderëve për furnizim me antiplumba për Policinë e Kosovës është 5 gusht 2021.