Automjeti për trazira, Foto: Policia e Kosovës

Policia e Kosovës planifikon të furnizohet me 15 automjete për trazira

Policia e Kosovës ka hapur tender për furnizim me 15 automjete për trazira.

Vlera e parashikuar për këtë kontratë është mbi 1 milion euro.

Policia ka kërkuar që këto automjete duhet të jenë transportuese, me dy ulëse para dhe shtatë ulëse prapa.

Po ashtu kërkohet që automjetet të jenë seria e fundit e prodhimit, model i vitit 2021.

Karakteristikë tjetër e këtyre automjeteve duhet të jenë me tërheqje 4×4, me nga një palë rrota prapa nëse e lejon pesha maksimale me ngarkesë.

Fuqia e motorit të automjetit duhet të jetë 130 kw ndërsa ndërruesi i shpejtësive duhet të jetë automatik.

Policia ka kërkuar që operatorët ekonomikë të ofrojnë minimum 10 vite garancion të prodhuesit për korrozion dhe minimum 3 vite garancion të prodhuesit për ngjyrën.

Po ashtu, specifikë tjetër e kërkuar për këto automjete është edhe kamera për incizim para dhe prapa.

“Të aktivizohen në mënyrë automatike me sensor të lëvizjes, të ketë mundësi incizimi edhe natën infra red, me memorie për ruajtje të incizimit min. 64 GB dhe të vendosen në vend të përshtatshëm para dhe prapa”, thuhet në dosjen e tenderit.

Këto automjete do të dorëzohen në Bazën e Logjistikës së Policisë së Kosovës.

Kohëzgjatja e kontratës kornizë do të jetë 36 muaj.

Njoftimi për kontratë për furnizimin me 15 automjete për trazira është publikuar 28 shtator 2021.

Tenderi është shpallur përmes procedurës së hapur.