Policia e Kosovës pjesë e konferencës së Asociacionit Ndërkombëtar të Shefave të Policisë

Delegacioni nga Policia e Kosovës, në krye me drejtorin Rashit Qalaj po marrin pjesë në konferencën e Shoqatës Ndërkombëtare të Shefave të Policisë.

Pjesë e kësaj konferencë e cila po mbahet në Chicago janë një numër i madh i nivelit të lartë të shefave të Policisë nga vende të ndryshme të botës.

“Kjo konferencë e karakterit ndërkombëtar të pranishmëve iu mundëson shkëmbimin e përvojave policore, trajtimin e problemeve dhe fenomeneve nga fusha e rendit dhe e sigurisë, si dhe njohjen me teknologjitë më të reja të cilat aplikohen në fushën e sigurisë, për shërbime më të mira ndaj të gjitha komuniteteve”, thuhet në njoftimin e policisë.

Policia ka njoftuar se gjatë qëndrimit në SHBA, Qalaj gjatë pjesëmarrjes në këtë konferencë dhe gjatë realizimit të takimeve, rëndësi të veçantë i ka kushtuar çështjes së bashkëpunimit policor ndërkombëtar, luftës kundër terrorizmit dhe radikalizmit të dhunshëm, krimit të organizuar transnacional si dhe llojeve të tjera të krimit.

Kjo konferencë e karakterit policor është një nga konferencat më të mëdha të mbajtura çdo vit në SHBA, ku Policia e Kosovës është mbështetur dhe është përkrahur nga ICITAP-i amerikan, të cilët janë bashkëpjesëmarrës.