Policia e Kosovës përdor gaz lotsjellës në pikën kufitare në Bërnjak

Në pikën kufitare në Bërnjak, Policia e Kosovës është detyruar të përdorë gaz lotësjellës për shkak të një incidenti të vogël.

Por, sipas informacioneve të KALLXO.com, situata është nën kontroll.

Megjithatë, rrugët po vazhdojnë të jenë të bllokuara nga ana e qytetarëve si shenjë revolte ndaj masës së reciprocitet të vendosur nga Qeveria e Kosovës për targat e automjeteve.

KALLXO.com më herët raportoi se qytetarët po vazhdojnë t’i mbajnë rrugët të bllokuara.

Sipas vendimit të Qeverisë së Kosovës, veturat që hyjnë nga Serbia duhet të pajisjen me targa të përkohshme në pikëkalimet kufitare të Kosovës.

Qeveria e Kosovës ka thënë se të gjithë shoferët me targa të lëshuara nga Serbia, duhet të paguajnë 5 euro për targa të përkohshme dhe vlefshmëria e tyre është 60 ditë.

Ndërsa, Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, sot në një konferencë për media,  ka thënë se lidhur me operacionin e sotëm në veri të vendit institucionet e Kosovës kanë pasur bashkëbisedim dhe koordinim me aleatët.

Kurse, për bllokimin e rrugëve nga ana e serbëve tha se ata janë të sigurt dhe u ka bërë thirrje mos t’i bllokojnë rrugët.

Reagim në lidhje me këtë çështje ka pasur sot nga ana e Shteteve të Bashkuara të Amerikës që kanë bërë thirrje për ulje të tensioneve.