Policia e Kosovës parandalon tri raste të kontrabandimit të mallrave në zonën kufitare Kosovë-Serbi

Policia dhe Dogana e Kosovës, në luftën kundrejt dukurive të kundërligjshme, e në veçanti asaj të kontrabandës, në zonën kufitare Kosovë-Serbi ka ndërhyrë në tri raste të ndara, që kanë rezultuar me parandalimin e kontrabandimit të mallrave të ndryshme si duhan, pije alkoolike dhe mallra tjera.

Më 05.09.2024, rreth orës 06:35, në brezin kufitar mes fshatit Dobrosinë dhe fshatit Stublinë – gjatë kontrollit të një automjeti me targa serbe që u dyshua për kontrabandë me mallra, i janë gjetur të ngarkuar disa thasë ku në brendësi kishte duhan me peshë nga 500 gramë.

“Duhani ishte i llojeve të ndryshme si: Malbooro slim, Malboro silver, Sobranie dhe Tabako dhe arrinte në peshë të përgjithshme prej gjithsej 340 kg dhe për të njëjtin posedonte dokument mbi prejardhjen e mallit, ndërsa vlera  e mallit dhe shmangiet doganore janë rreth 20.000 euro”- thuhet në njoftimin e Policisë.

Lidhur me rastin, sipas njoftimit, të gjitha veprimet janë ndërmarrë në bashkëpunim me prokurorin kompetent, kurse malli i kontrabanduar  dhe automjeti janë sekuestruar dhe janë dërguar në terminalin doganor për procedurat e mëtejme sipas kompetencës.

Derisa, më 04.09.2024, rreth orës 18:40, në brezin kufitar në mes të fshatit Breznicë dhe fshatit Karaçevë e Poshtme është vërejtur një automjet me targa vendore duke hyrë ilegalisht nga Serbia në Republikën e Kosovës.

“Gjatë kontrollit të automjetit i cili po drejtohej nga i dyshuari mashkull kosovar, i njëjti kishte pasur të ngarkuara 798 shishe me birra Zajrqasko (me nga 0.5 litër) pa dokumente mbi prejardhjen e mallit”- theksohet më tej në njoftimin e policisë.

Kurse, në rastin e tretë, më 04.09.2024, rreth orës 19:50, në brezin kufitar në mes të fshatit Breznicë dhe fshatit Karaçevë e Poshtme gjatë kontrollit në një makinë që po drejtohet nga një shtetas i Kosovës e që hyri ilegalisht nga Serbia, i janë gjetur 27 pako me speca në peshë rreth 300 kg pa dokumente mbi prejardhjen e mallit.

Policia bëri të ditur se lidhur me rastin, automjeti dhe mallrat e kontrabanduara janë sekuestruar dhe janë dërguar në terminal doganor për procedurat e mëtejme.