Pika kufitare Kosovë- Serbi në Jarinjë - Foto: KALLXO.com

Policia e Kosovës nuk flet se si hynë vaksinat anti-COVID nga Serbia në Kosovë

Fillimi i vaksinimit të serbëve në Leposaviq dhe në Mitrovicën e Veriut vendosi shumë pikëpyetje se përmes cilave rrugë nga kanë ardhur këto vaksina në Kosovë dhe se a janë të informuar institucionet e Kosovës për këtë.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani, nuk ka pranuar të flasë se si kanë hyrë vaksinat anti-COVID në Kosovë dhe se kush i ka lejuar ato të hyjnë brenda territorit.

“Ju lutem, adresojuni autoriteteve kompetente”, tha shkurt zëdhënësi i Policisë, Kelani.

Për fillimin e vaksinimit të serbëve në Kosovë nuk ka qenë i informuar as kabineti i Qeverisë së Avdullah Hotit.

KALLXO.com ka biseduar me Antigona Baxhakun, nga kabineti i qeverisë Hoti, por e njëjta ka thënë se nuk ka informacion për këtë.

“Nuk mund të them asgjë sepse unë nuk kam informacion”, tha Baxhaku.

Tutje KALLXO.com ka tentuar të flasë edhe me ministrin e Shëndetësisë, Armend Zemaj, në lidhje me këtë rast por i njëjti nuk ka qenë i qasshëm.

Fillimin e vaksinimit të serbëve në Kosovë e ka bërë të ditur Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
“Vaksinimi ka filluar në Leposaviq. Sot do të arrijë edhe në Mitrovicë. Kjo vaksinë është per personat mbi moshën 75-vjeçare. T’i ruajmë së pari ata, e më pas edhe të tjerët”, ka deklaruar Vuçiq.

Në anën tjetër Kosova ende nuk është furnizuar me vaksina kundër COVID-19, edhe pse pritet që 20% e vaksinave të merren falas nga program i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, COVAX, e cila do të shpërndajë vaksina për vendet e varfëra.

Ndërsa, pjesën tjetër të vaksinave do të blihen nga Ministria e Shëndetësisë.Përdorimi i vaksinës kundër COVID-19 pritet të fillojë të përdoret në Bashkimin Evropian më 27 dhjetor.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike në Kosovë, raporton edhe për rastet me COVID-19 nëpër komunat me shumicë serbe.

Sot në Kosovë janë regjistruar 249 raste të reja me COVID-19.

Vuçiq: Fillon vaksinimi në veri të Kosovës