Policia e Kosovës: Nga nesër në mëngjes fillon shqiptimi i gjobave për veturat me targa ilegale

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se nga nesër në mëngjes do të nisë shqiptimin e gjobave për vozitësit e automjeteve me targa ilegale.

Kështu ka bërë të ditur për KALLXO.com zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani.

“Ashtu siç është bërë e ditur sipas vendimit për targat Nr.05/103, deri me datë 21 nëntor ishte paraparë shqiptimi i masës së qortimit, ndërsa pas kësaj date nga njëzet e dy (22) Nëntori, Policia e Kosovës e ka bërë të ditur se do të filloj  zbatimin e shqiptimit të gjobës sipas legjislacionit në fuqi, i cili sipas vlerësimit dhe planit policor pritet të filloj po në këtë datë (22.11.22) gjatë ndërrimit të paradites” – ka thënë ai.

Tutje ai ka thënë se referuar situatës dhe zhvillimeve aktuale në vend, Policia e Kosovës në vazhdimësi përcjell këto zhvillime dhe në aspektin operacional bën vlerësime profesionale konform të cilave ndërmerr masa të nevojshme, të arsyeshme dhe të ligjshme për zbatimin e ligjit dhe vendimeve të autoriteteve shtetërore të Kosovës.

Nesër do të hyjë në fuqi faza e shpërndarjes së gjobave për shoferët që nuk i kanë bërë konvertimin e targave të veturave nga ato ilegale në ato të Republikës së Kosovës.

Lidhur me çështjen e targave sot në Bruksel është janë zhvilluar bisedime disaorëshe mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, por siç ka njoftuar ndërmjetësuesi Josep Borrell nuk është arritur asnjë marrëveshje.