Ceremonia e 25-vjetorit të themelimit të Policisë së Kosovës, Foto: Policia e Kosovës/Facebook
Policia e Kosovës në përvjetorin e themelimit: 25 vjet shërbim me nder dhe dinjitet
Për nder të shënimit të 25-vjetorit të themelimit të saj, Policia e Kosovës ka organizuar të premten, më 06.09.2024, një ceremoni solemne në të cilën morën pjesë personalitete të larta shtetërore dhe përfaqësues të agjencive të sigurisë nga rajoni dhe më gjerë.
Përmes një njoftimi, Policia ka thënë se pjesë e ceremonisë që organizuan ishin edhe eprorë të lartë nga Policia dhe familjarë të heronjve të Policisë që kanë rënë në krye të detyrës.
“Këtë ceremoni, përveç pjesëmarrjes së mysafirëve, të cilët nderuan institucionin e PK-së me pjesëmarrjen e tyre, e karakterizoi edhe marshi dhe himni i Policisë së Kosovës, të cilat ekskluzivisht në këtë datë historike të 25 vjetorit u publikuan për herë të parë” – kanë njoftuar nga Policia, më 06.09.2024.
Sipas Policisë, gjatë kësaj ceremonie, e para e shtetit, Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti, ministri i Punëve të Brendshme Xhelal Sfeqla dhe drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, kolonel Gazmend Hoxha vlerësuan angazhimin e Policisë.
“Gjatë fjalimeve të tyre kanë vlerësuar angazhimin e Policisë së Kosovës dhe gjithë pjesëtarëve të saj përgjatë gjithë kësaj periudhe kohore në ruajtjen e rendit publik dhe rendit Kushtetues, ofrimin e sigurisë ndaj qytetarëve, duke vazhduar më tej primatin si institucioni më i besueshëm dhe më transparent në Republikën e Kosovës” – njofton Policia.
Tutje, Policia thotë se ceremoninë e shënimit të përvjetorit të themelimit të saj e madhështoi edhe trupa muzikore e organizuar nga Policia, të cilët interpretuan live himnin e Policisë së Kosovës, himnin shtetëror dhe marshin e Policisë së Kosovës, përfshirë interpretimin edhe të dy pikave artistike muzikore.
Këto nuk ishin aktivitetet e vetme që pasuruan ceremoninë e shënimit të përvjetorit të themelimit të Policisë së Kosovës, po ashtu u shfaq një dokumentar e ushtrime të njësisë speciale elite të Policisë.
“Gjatë kësaj ceremonie është prezantuar edhe dokumentari “25 vjet Polici”, i cili është përgatitur enkas për këtë 25 vjetor. Pas kësaj ceremonie në kampin Vrella, njësitë speciale elite të PK-së, përmes një ushtrimi kanë demonstruar shkathtësitë e tyre profesionale para pjesëmarrësve me rastin e këtij 25 vjetori, në të cilin morën pjesë edhe personalitetet e larta shtetërore” – kanë shtuar nga Policia.
Si përfundim, Policia e Kosovës ka uruar të gjithë qytetarët e Kosovës dhe pjesëtarët e saj me rastin e 25 vjetorit të PK-së me sloganin “25 vjet shërbim me nder dhe dinjitet”.