Policia e Kosovës në Graçanicë trajton temën e trafikimit me njerëz

Policia e Kosovës në bashkëpunim me disa institucione tjera ka mbajtur sot në Graçanicë një tryezë me temën “Ndihmo në parandalimin dhe luftimin e trafikimit me njerëz dhe parandalo dhunën në familje”.

Në këtë  tryezë janë paraqitur këndvështrime profesionale sa i përket këtyre dukurive dhe pasojat që sjellin këto dukuri për komunitetin në përgjithësi.

“Kjo tryezë është mirëpritur nga të pranishmit dhe prezantimet policore kanë zgjuar kureshtjen e pjesëmarrësve ku edhe  patën mundësi për të parashtruar  shumë pyetje në lidhje me trajtimin e rasteve të trafikimit me qenie njerëzore dhe të dhunës në familje nga ana e Policisë së Kosovës”, thuhet në njoftim.

Policia përmes kësaj tryeze ka bërë thirrje tek të gjithë qytetarët të cilët kanë njohuri për rastet e trafikimit me qenie njerëzore dhe rastet e dhunës në familje të raportojnë Policinë e Kosovës në numrat e saj pa pagesë,  192,  080011112,  0800199999, mirëpo edhe në adresën elektronike [email protected],  [email protected],  në mënyrë që të gjithë të kontribuojnë në parandalimin e dukurive negative dhe shqetësuese për shoqërinë.

Në këtë tryezë morën pjesë zyrtarë nga Kuvendi Komunal në Graçanicë, komandanti i stacionit Policor në Graçanicë, zyrtarë nga Qendra për punë sociale, pjesëtarë të FSK-së,  disa OJQ nga komuna e Graçanicës, profesorë dhe nxënës nga Shkolla e Mesme e Komunikacionit  në Graçanicë si dhe qytetarë nga Komuna e Graçanicës.