Policia e Kosovës në gatishmëri për protestën e veteranëve të UÇK-së (FOTO)

Njësitë e Policisë së Kosovës janë duke qëndruar në oborrin e Kuvendit para fillimit të protestës së Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

KALLXO.com më parë raportoi se disa prej veteranëve të UÇK-së janë mbledhur para objektit të Kuvendit për protestën e lajmëruar për sot.

Protesta e sotme në orën 09:30 ishte paralajmëruar nga ana e OVL UÇK, që po kërkojnë tash e sa kohë, që pensioni për veteranët e UÇK-së të përfshihet në Ligjin për paga.

Klinaku para disa ditëve ka bërë thirrje deputetëve të Kuvendit të Kosovës që mos ta miratojnë projektligjin e pagave, të cilin ai e ka quajtur diskriminues ndaj kategorive të luftës së UÇK-së.

Klinaku kishte paralajmëruar protestë nëse miratohet ky projektligj.

Protesta e fundit e OVL UÇK është mbajtur më 6 qershor para Kuvendit të Kosovës, në të cilën protestë pati përplasje të vogla në mes protestuesve dhe Policisë së Kosovës.

Ministi i Financave dhe Transfereve, Hekuran Murati, ka thënë e veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës janë diskriminuar në vitin 2017 kur ka hyrë në fuqi Ligji i pagave dhe jo tash në projektligjin e ri për rritjen e pagës minimale.

Sipas Muratit, në kohën kur ka hyrë në fuqi Ligji i pagave është bërë fshirja e nenit 18, i cili u ka mundësuar veteranëve përfshirjen në rritjen e pagës minimale tash.