Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Policia e Kosovës mohon se Njësitë Speciale dëmtuan veturat në Bërnjak

Policia e Kosovës gjatë ditës së sotme ka mohuar në tërësi se Njësite Speciale kanë dëmtuar disa automjete private të parkuara në rrugën e cila të dërgon drejtë pikës kufitare Bërnjak, pra rruga e cila është bllokuar nga makineritë e rënda që janë vendosur nga qytetarët serb.

Sipas reagimit të policisë, deputeti i Listës Serbe, Igor Simiq ka publikuar një shkrim me fotografi të makinave të dëmtuara të titulluar “Primitivizëm i Njësive Speciale të Kosovës në Bërnjakë”.

“Në këto shkrime spekulohet se kinse njësitet speciale (NJSO) të PK-së, me rastin e kryerjes së ndërrimeve në kalimin kufitar Bërnjakë, me date 30 shtator 2021 rreth orës 23.30, kinse me qëllim kanë dëmtuar dhjetëra automjete private të parkuara në rrugë, sipas fotografive kinse janë gërvishtur nga zyrtarët veturat në fjalë”, thuhet në reagimin e Policisë së Kosovës.

Sipas policisë ky shkrim i Simiqit është lajm i rrejshëm.

“Duke e dëshmuar faktin se Policia e Kosovës është profesionale dhe në zbatim të ligjit, e ritheksojmë se veprimet policore ndërmerren konform Kushtetutës së Kosovës dhe ligjeve në fuqi, dhe nuk bie pre e provokimeve të vazhdueshme, dezinformatave dhe lajmeve të rrejshme të orientuara me qëllime të caktuara politike”, thuhet tutje në njoftim.

Tutje policia ka njoftuar se ka kryer disa verifikime në lidhje me pretendimet e Simiq.

“Policia e Kosovës ka bërë verifikimet zyrtare me njësitet relevante në terren dhe është vërtetuar se informacionet e tilla janë të pavërteta, pasi njësitet policore në asnjë rrethanë nuk janë  të përfshirë, andaj shkrimet e tilla janë spekulime, të paqëndrueshme dhe të orientuara politikisht, me qëllim të destabilizimit të situatës dhe njollosjes së njësiteve elite të Policisë së Kosovës”, vazhdon tutje reagimi i policisë.

Në portalin Kosovo-Online, orët e hershme të mëngjesit të sotëm është publikuar një shkrim në lidhje me këtë cështje.

Sipas shkrimit të publikuar, Igor Simiq kishte publikuar në Facebook fotografi ku shiheshin gërvishtje në veturat e serbëve ndërsa një sjellje të tillë e kishte quajtur primitive nga ana e Policisë së Kosovës.

“Gjatë ndryshimit të ndërrimeve në vendkalimin administrativ Brnjak sonte, rreth orës 23:30, të ashtuquajturat ‘forcat speciale’ ROSU dëmtuan qëllimisht një duzinë automjetesh motorike private të parkuara në pronësi të serbëve. Se sot u arrit një marrëveshje që respekton interesat tona njerëz, “tha Simic, raporton Kosova Online.