Nenad Gjuriq dhe Aleksander Vuçiq. Screenshot: Tanjug News Agency official/Youtube

Policia e Kosovës me vendim të prerë largon nga puna Nenad Gjuriqin, ish-drejtorin e policisë në veri

Nenad Gjuriq i cili në nëntor të vitit të kaluar kishte deklaruar se nuk do të jetë më pjesë e Policisë së Kosovës, ditë më parë mori vendimin e nënshkruar nga institucioni ku punoi për largim nga puna.

KALLXO.com ka siguruar vendimin që mban datën e 24 shkurtit e në të cilin ish-kapitenit Gjuriq i është ndërprerë marrëdhënia e punës për shkak se ka rënë ndesh me udhëzimin administrativ për shkeljet të masave dhe procedurave disiplinore.

Ai me veprimet të cilat bëri vitin e kaluar duke mohuar që të vepronte me vendim të Qeverisë së Kosovës në lidhje me targat serbe, u suspendua nga detyra ndërsa ndaj tij nisi procedura disiplinore për sjellje të rëndë diskredituese, mosbindje e rëndë dhe shkelje e rëndë e autorizimit.

Këto veprime përmenden si arsyetim në vendimin që ka siguruar KALLXO.com për largimin nga puna të ish-kapitenit Gjuriq.

“Më datë 2 nëntor 2022, Gjuriq së bashku me zyrtarë të tjerë të policisë (komandantët e stacioneve në udhëheqjen e DRP Mitrovicë veri) dhe pjesëtarë të partisë politike Lista Serbe kanë mbajtur konferencë për media në të cilën publikisht kishte thënë se nuk mund ta zbatoj vendimin e Qeverisë së Kosovës të datës 28 tetor 2022” – thuhet në vendimin të cilin ka siguruar KALLXO.com.

Ky vendim erdhi për gati tre muaj pasi Gjuriq tha se nuk do të jetë më pjesë e institucionit kryesor të sigurisë në Kosovë, Policisë së Kosovës.

Vitin e kaluar që nga muaji korrik e deri në fund të vitit pati tensione të shumta në pjesën e veriut të Mitrovicës.

Dorëheqje të zyrtarëve policorë, gjykatës, prokurorë, doganierë, asamblistë, deputetë ndodhën në tetor në kohën kur kishte nisur vetëm se vendimi i Qeverisë së Kosovës për targat e qytetarëve serb të cilat qarkullonin në komunat me shumicë serbe.

Situata e krijuar me targat ngjalli tensione të ndryshme, deri te protestat në veri e sulmet ndaj zyrtarëve policorë, gazetarëve, institucioneve.

Madje në këtë kohë u arrestua edhe një ish-polic tjetër, Dejan Pantiq.

Me arrestimin e Pantiq pati edhe bllokada nëpër pjesën veriore të Mitrovicës ku banon shumica e popullsisë serbe.

Pas lirimit të tij në arrest shtëpiak, barrikadat u hoqën diku ka fundi i vitit të kaluar.

Nenad Gjuriq, pasi u deklarua se u largua nga policia, u dekorua me medalje presidenciale nga Aleksandar Vuçiq.

Sipas medias serbe, presidenti Vuçiq i dhuroi Gjuriq “Urdhrin e Meritës së Klasit të Parë për Mbrojtje dhe Siguri”, i cili u tha se jepet për kryerjen mbi mesataren, shembullore dhe me nder të detyrave në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë.

Lidhjet e ish-policëve serbë të Kosovës me Beogradin