Policia e Kosovës mban takim rreth rasteve të dhunës në familje

Policia e Kosovës ka mbajtur takim analizues rreth rasteve të dhunës në familje.

“Në fokus të takimit koordinues ishte situata aktuale e dhunës në familje, roli i Policisë së Kosovës në trajtimin e kësaj dukurie si dhe mënyrat dhe format më të mira të bashkëpunimit dhe koordinimit të aktiviteteve në mes të njësive policore në luftimin dhe parandalimin e dhunës në familje”, thuhet në njoftimin e policisë.

Nga menaxhmenti policor, është paraqitur situata aktuale e dhunës në familje, obligimet dhe përgjegjësit që ka Policia e Kosovës në trajtimin e kësaj dukurie shqetësuese si dhe planifikimet dhe obligimet koordinuese policore në të gjitha nivelet, me qëllim të përmirësimit të kualitetit të punës dhe ngritje të profesionalizimit policor në luftimin dhe parandalimin e dhunës në familje si një dukuri shqetësuese.

Në këtë takim, i udhëhequr nga Drejtoria e Policisë në Bashkësi dhe Sektorin e Dhunës në familje, kanë marrë pjesë menaxhmeti i lartë i Policisë së Kosovës, drejtori i Departamentit të Operacioneve, Gazmend Hoxha, drejtori i Divizionit për Siguri Publike, Arbnesh Ajvazi dhe drejtori i Drejtorisë së Policisë në Bashkësi, Basri Shabani.

Pjesëmarrës po ashtu ishin edhe epror dhe personeli i Sektorit të Dhunës në Familje si dhe Koordinatorët Rajonal për dhunën në familje nga tetë Drejtori Rajonale të Policisë.