Policia e Kosovës mban takim për gjendjen e përgjithshme në trafikun rrugor

Në drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Kosovës në Kryeqytet është mbajtur takimi ndërmjet akterëve kryesor të Policisë së Kosovës. Në këtë takim është diskutuar për gjendjen e sigurisë në trafikun rrugorë dhe masat e mëtejmë që duhet të ndërmerren për menaxhim sa më efikas të trafikut në nivel vendi.

Sipas njoftimit të Policisë, takimi është drejtuar nga drejtori i përgjithshme i Policisë Samedin Mehmeti së bashku me nënkolonelin Jeton Rexhepi, nënkolonel Arbnesh Ajvazi – drejtor i Divizionit për Siguri Publike, si dhe shefat e njësive rajonale të trafikut dhe njësisë për kontroll të autostradave.

“Në këtë takim nga drejtori i përgjithshëm u diskutua dhe analizua gjendja e sigurisë në trafik përgjatë viteve si dhe gjendja aktuale, ku u vlerësua dhe njëherit u kërkua nevoja e angazhimeve shtesë nga të gjitha rajonet si dhe bashkërendimi i të gjithë akterëve përfshirë edhe institucionet e tjera relevante për krijimin e kushteve dhe rrethanave më të mira për sigurinë e përgjithshme rrugore”, thuhet tutje në njoftim.

Në këtë drejtim Policia e Kosovës është duke implementuar Urdhërin Operativ “Siguria në trafikun rrugor 2021”, qëllimi i të cilit është ndërmarrja e masave të duhura policore në drejtim  të parandalimit, zvogëlimit të aksidenteve si dhe rritja e sigurisë për të gjithë pjesëmarrësit në trafikun rrugor, përfshirë ndërmarrjen e hapave konkret për vetëdijesim dhe sensibilizim të opinionit publik.

Në kuadër të këtij urdhri Policia njoftoi se janë ndërmarrë aktivitete për identifikimin dhe ndëshkimin e kundërvajtësve si: mosrespektim të shpejtësisë së kufizuar, tejkalime në vende të ndaluara, përdorimi i telefonit mobil gjatë ngasjes, rripi i sigurisë, mosrespektimi i dritës së kuqe, drejtimi nën ndikimin e alkoolit, drejtimi pa patentë shoferi dhe pa kategori përkatëse, automjetet e paregjistruara, motoçiklistët, këmbësorët, mjetet e transportit të udhëtarëve dhe mallrave.

Poashtu, Policia njofton se “Bazuar në angazhimet dhe aktivitetet policore rezulton që mesatarisht brenda 24 orëve janë shqiptuar rreth 1500 fletëparaqitje për kundërvajtje, kjo tregon edhe seriozitetin e angazhimeve policore në terren”.

Policia gjithashtu ka kërkuar që të shtohen aktivitetet dhe prezenca e policisë në këtë kohë ku numri i mërgimtarëve është i lartë dhe të ofrohet siguri në trafik.