barrikada

Barrikada e krijuar në fshatin Rudarë (13 dhjetor 2022), Foto: KALLXO.com

Policia e Kosovës konfirmon vendosjen e dy barrikadave të reja në veri

Dy barrikada të reja janë vendosur gjatë natës në veri. Këtë e ka konfirmuar edhe Policia e Kosovës.

Njëra nga këto barrikada është vendosur në hyrje të qytetit të Mitrovicës së Veriut, tek udhëkryqi i shkollës teknike në Lagjen e Boshnjakëve, ndërsa tjera është vendosur te vendi i quajtur “Kërshi i Dudit” në Zveçan.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani, ka thënë se barrikadat e reja janë vendosur gjatë natës nga persona/grupe kriminale.

“Në veri të vendit, gjatë natës persona/grupe kriminale, kanë vazhduar vendosjen e barrikadave duke penguar edhe më tej lirinë e lëvizjes së lirë. Referuar informacioneve zyrtare janë vendosur edhe dy barrikada me mjete të rënda” – ka thënë Kelani.

Që 18 ditë janë vendosur barrikadat në veri si pakënaqësi ndaj arrestimit të ish-policit serb Dejan Pantiq. Ai është arrestuar nën dyshimin e organizimi të sulmit ndaj zyrave të Komisionit Komunal Zgjedhor më 6 dhjetor 2022.

Që para fillimit të vendosjes së barrikadave më 10 dhjetor në veri, janë regjistruar disa incidente me shok-bomba e granata dore, sulme ndaj ekipeve të gazetarëve, patrullës së EULEX-it, gjuajtje me armë në afërsi të ekipit së KFOR-it dhe po ashtu një polic i Kosovës është plagosur.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se KFOR-i ka kërkuar kohë për largimin e barrikadave derisa ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka përsëritur disa herë se Kosova ka kapacitete për largimin e barrikadave.

Nga ana tjetër, kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, ka thënë se lirimi i serbëve të arrestuar dhe disa kërkesa të tjera të cilat janë drejtuar kryeministrit Kurti, janë kushtet për largimin e barrikadave.

Kurse presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka theksuar se barrikadat do të largohen nëse formohet Asociacioni i komunave me shumicë serbe.