Policia e Kosovës: Kërcënimi për bombë në aeroplan ishte i rrejshëm

Shefi i Policisë në Aeroportin e Prishtinës, Shpend Maliqi, ka konfirmuar se pas kontrollit të bagazheve të udhëtarëve, alarmi për bombë në aeroplanin që ka ardhur nga Roma ka rezultuar të jetë fals.

“Sonte rreth orës 22:00 kemi pranu një informatë për një kërcënim me bombë në fluturimin nga Roma për Prishtinë. Menjëherë janë njoftu të gjitha njësitet relevante të cilat i janë përgjigjur rastit. Pasagjerët janë evakuuar në një vend të sigurt dhe është kontrollu komplet fluturimi dhe bagazhet, është alarm fals”, ka deklaruar Maliqi.

Tutje ai ka thënë se në bordin e aeroplanit kanë qenë afërsisht 200 udhëtarë të cilët janë në gjendje të mirë shëndetësore.

Maliqi shtoi se Aeroporti është duke funksionuar në gjendje të rregullt.