Policia e Kosovës ka një apel për qytetarët

Policia e Kosovës ka kërkuar nga qytetarët të respektojnë shenjat e komunikacionit rrugor.

Policia e rajonit të Pejës me anë të një komunikate bën apel te të gjithë ngasësit e automjeteve që të respektojnë dispozitat ligjore të komunikacionit, pasi që këto norma janë vendosur për mbrojtjen e jetës së tyre dhe pjesëmarrësve tjerë në komunikacion.

“Policia e Kosovës kërkon nga drejtuesit e automjeteve që të respektojnë shenjat e komunikacionit rrugor, t’u përshtaten kushteve atmosferike si dhe të përdorin zinxhirët gjatë lëvizjes në akset rrugore ku bora dhe ngricat janë të pranishme”, thuhet në komunikatën e Policisë së Pejës.

Duke u bazuar nga rrethanat e ndryshimit të motit, si dhe vështirësitë që krijohen në qarkullimin e automjeteve si pasojë e mjegullës, shiut, erës, borës dhe ngricave Drejtoria Rajonale e Policisë në Pejë ka marrë masa për përforcimin e shërbimeve të Policisë së Komunikacionit Rrugor në të gjitha akset rrugore.

Policia njofton se të gjitha akset rrugore do të jenë të mbuluara nga Njësitë Rajonale të Komunikacionit, të cilat do të ushtrojnë kontrollë të vazhdueshme për pajisjen e automjeteve me goma dimërore, zinxhirë, në ato akse ku është i nevojshëm përdorimi i tyre, si dhe për respektimin e normave të shpejtësisë së lejuar dhe përshtatja e kushteve të rrugës.

Gjithashtu edhe ndërmarrjen e masave preventive ndaj shoferëve të cilët janë të obliguar për përdorimin e dritave për ndriçimin e rrugës dhe dritat e mjegullës në rastet e zvogëlimit të dukshmërisë së rrugës.

“Me angazhimet njësiteve policore dhe institucioneve tjera përgjegjëse, si dhe me një kujdes të pjesëmarrësve në komunikacion, besojmë që kjo sezone dimërore të kalohet me një numër më të vogël të aksidenteve”, thuhet në apelin e Policisë./21 Media