Igor Simiq duke hyrë në stacionin policor në Mitrovicë të Veriut. | Foto: KALLXO.com/05.09.2024

Policia e Kosovës interviston Igor Simiqin dhe Ivan Todosijeviqin nën dyshimin për falsifikim të dokumenteve

Ish-ministri i Admistrimit të Pushtetit Lokal në Qeverinë e Kosovës dhe ish-deputet nga radhët e Listës Serbe, Ivan Todosijeviq, është intervistuar sot më 05.09.2024 në Drejtorinë Rajonale Mitrovicë Veri të Policisë së Kosovës.

Todosijeviq dyshohet për falsifikim të dokumenteve në ish-komunat paralele, të cilat u mbyllën të premten më 30.08.2024.

Kallxo.com ishte në vendin e ngjarjes kur Todosijeviq përfundoi intervistën rreth orës 14:30.

Ndërsa Igor Simiq, drejtor i Drejtorisë së Fondit të Sigurimit Pensional dhe Invalidor për Kosovë (strukturë paralele e Serbisë në veri të Kosovës), ka filluar të intervistohet nga Policia e Kosovës në ora 16:00, edhe ky nën dyshimin për falsifikim të dokumenteve. Intervistimi i tij zgjati afro 40 minuta.

“Nuk kemi arsye të mos i përgjigjemi ftesës për intervistim. Jemi absolutisht të sigurt se nuk kemi bërë asgjë kundër askujt. Jam krenar që kam qenë pjesë e Fondit [serb për pensione e sigurime në Kosovë] dhe u kam ndihmuar qytetarëve të realizojnë të drejtat e pensioneve…”- ka thënë Simiq.

Kallxo.com ka raportuar dje, më 04.09.2024, se pesë zyrtarë të ish-strukturave paralele janë ftuar në stacion policor për intervistë nën dyshimin për falsifikim të dokumenteve.

Dje është intervistuar ish-kryetari i Mitrovicës së Veriut, Millan Radojeviq.

“Kjo është punë e hetueseve dhe e prokurorit në fjalë, me sa e di janë pesë ftesa të cilat i kemi shpërnda, katër i kemi gjetur në shtëpi, një jo. Kaq mund të them unë. Arsyeja pse ata intervistohen lidhet me rastin e komunave paralele që kemi mbyllur të premten e kaluar”- ka thënë drejtori i Drejtorisë Rajonale Mitrovicë Veri të Policisë së Kosovës, Veton Elshani.

Policia e Kosovës ka mbyllur pesë objekte të strukturave paralele që kanë operuar në veri.

Ministri Krasniqi konfirmon mbylljen e 5 institucioneve paralele në veri të Kosovës

 

Dyshimet për falsifikim të dokumenteve, lirohet pas intervistimit ish-kryetari i Mitrovicës së Veriut