barrikada

Barrikada e krijuar në fshatin Rudarë (13 dhjetor 2022), Foto: KALLXO.com

Policia e Kosovës: Gjatë natës ka vazhduar vendosja e një barrikade të re në veri

Policia e Kosovës ka njoftuar se gjatë natës ka vazhduar vendosja e një barrikade të re në lagjen Berxhane që shpie për në Zveçan, për të vazhduar pengimin e lirisë së lëvizjes së lirë edhe në rrugët alternative.

“E që po vështirëson edhe më tej jetën e qytetarëve në veri të vendit” – thuhet në njoftimin e Policisë.

Sipas Policisë, që nga vendosja e barrikadave në veri të vendit, situata e sigurisë vazhdon të jetë e njëjtë dhe dy pikat kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak vazhdojnë të jenë të mbyllura.

“Vendosja e barrikadave vazhdon të cenojë lirinë e lëvizjes së lirë, e poashtu të pamundësojë hyrje-daljet në dy pikat kufitare të qytetarëve dhe mallrave” – vazhdon njoftimi i Policisë së Kosovës.

Ata kanë njoftuar se po angazhohen në ofrimin e sigurisë ndaj të gjithë qytetarëve dhe vendit.

Ministri i Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, Xhelal Sveçla, ka thënë se çdo çast i kaluar nën bllokim të barrikadave të ngritura është i tepërt.

“Institucionet e Republikës së Kosovës i kanë të gjitha kapacitetet për ti larguar barrikadat dhe në koordinim me partnerët tanë ndërkombëtar janë duke vlerësuar situatën për reagim adekuat” – thuhet në postimin e ministrit Sveçla.

Ndërsa Sindikata e Policisë së Kosovës ka thënë se nga bllokimi i rrugëve në veri për gati tetë ditë, është cenuar lëvizja e lirë e qytetarëve dhe organeve të rendit.

Ata kanë potencuar se zyrtarët policorë në Leposaviq dhe Jarinjë kanë mbetur të bllokuar pa pasur mundësi t’ju bëhet ndërrimi sipas rregullave për funksionim normal.

Duke u shprehur të shqetësuar për kolegët e tyre, Sindikata e Policisë iu ka bërë thirrje institucioneve vendore e ndërkombëtare që të krijohen kushtet për lëvizje të lirë.

Prej ditësh, në veri të vendit situata është tensionuar. Më 6 dhjetor zyret e Komisionit Komunal Zgjedhor janë sulmuar me shok-bomba dhe me një granatë dore që sipas Policisë ishte e prodhuar në ish-Jugosllavi.

Më 10 dhjetor 2022 pasdite në veri janë dëgjuar alarmet. Pas këtyre alarmeve ka pasur grumbullim të qytetarëve serbë dhe bllokim të rrugëve me barrikada në Rudarë.

Policia e Kosovës ka njoftuar se për shkak të bllokimit të rrugëve ka mbyllur për qarkullimin në pikën kufitare në Jarinjë dhe u ka bërë thirrje qytetarëve që të përdorin pika të tjera kufitare për të hyrë në Kosovë ose për të dalë nga Kosova.

Bllokimi i rrugëve ka ardhur pas njoftimit se nga Policia e Kosovës është arrestuar ish-polici Dejan Pantiq. Sipas Policisë, Pantiq po dyshohet se ka organizuar sulmin në zyret e KKZ-së në veri të vendit me ç’rast ishin sulmuar zyrtarët e KQZ-së dhe zyrtarët policorë. Ai po mbahet në paraburgim për veprat penale terroriste dhe sulm kundër rendit kushtetues.

Më 8 dhjetor 2022, rreth orës 23:00, një veturë e Policisë së Kosovës derisa po patrullonte në fshatin Serbovc të Komunës së Zveçanit është sulmuar dhe nga ky sulm ka mbetur i plagosur një zyrtar policor. Një ditë më vonë, më 9 dhjetor, në orët e hershme të mëngjesit, persona të maskuar kanë sulmuar ekipin e KALLXO.com, i cili gjendej në Lagjen e Boshnjakëve për të raportuar në lidhje me zhvillimet atje.

Më 10 dhjetor 2022, një patrullë e EULEX-it është sulmuar me shok-bombë në veri të Kosovës, Misioni i Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit në Kosovë, liderë kosovarë e ndërkombëtar e kanë dënuar sulmin.

Më 15 dhjetor, Serbia i është drejtuar KFOR-it me kërkesën për dislokimin e deri 1.000 trupave ushtarake dhe policore serbe në Kosovë.

Zyrtarët serbë kanë argumentuar se nuk presin që kjo kërkesë t’iu miratohet.Beogradi po ashtu ka thënë se kërkesa është bërë në bazë të Rezolutës 1244. Nga KFOR-i e kanë konfirmuar më 16 dhjetor se kanë pranuar kërkesën e Serbisë, të cilën kanë thënë se “po e shqyrtojmë”.