Policia e Kosovës dërgon zyrtarë policorë në Tiranë

Policia e Kosovës do të dërgojë zyrtarë policor në Tiranë sot, për shkak të ndeshjes sportive që pritet të mbahet në stadiumin e Tiranës, mes ekipeve Roma- Feyenoord.

Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar, zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani.

“Referuar bashkëpunimit të ndërsjellët në mes të Policisë së Kosovës dhe Policisë së Shqipërisë, si dhe referuar ndeshjes sportive e cila pritet të mbahet sot, Policia e Kosovës do të dërgojë disa zyrtarë policorë në Tiranë”, ka theksuar ai.

Policia e Shtetit në Shqipëri ka bërë të ditur se mbrëmë janë lënduar 19 policë pas përleshjes mes grupeve të tifozëve që kanë shkuar për të mbështetur ekipin e Romës dhe Feyenoordit në Tiranë.

“Si pasojë e dhunës së ushtruar nga tifozët e të dy skuadrave finaliste, janë plagosur 19 punonjës të Policisë së Shtetit në krye të detyrës, njëri prej të cilëve është plagosur me armë të ftohtë (thikë), të cilëve u është dhënë ndihma e menjëhershme mjekësore, si dhe janë dëmtuar edhe katër automjete shërbimi të Policisë së Shtetit”, thuhet në njoftim.

Ndihmë mjekësore kanë pranuar edhe 10 shtetas, nga të cilët pesë shtetas shqiptarë, tre italianë dhe dy holandezë, të cilët pasi kanë marrë ndihmën mjekësore janë larguar.