Policia e Kosovës demanton raportimet e mediave serbe

Forcat e rendit të Kosovës, kanë demantuar një raportim të një medie në Serbi të bërë sot gjatë ditës.

Sipas një sqarimi për media, Policia e Kosovës ka demantuar raportimet e “Kosovo-online” për, kinse një situatë dramatike në pikën kufitare në Bërnjak.

“Policia e Kosovës, me qëllim informimin e drejtë të opinionit publik, përmes këtij njoftimi zyrtar demanton shkrimin tendencioz dhe të pavërtetë të publikuar në mediumin serb kosovo-online, se kinse në Bërnjak është paraqitur një situatë dramatike, ku kinse pjesëtarët e Policisë së Kosovës kanë tentuar të nxjerrin nga vetura një person dhe KFOR e ka parandaluar incidentin”, thuhet në njoftim.

“Policia e Kosovës si institucion i zbatimit të ligjit në të gjitha rastet ndërmerr të gjitha veprimet konform Kushtetutës së Kosovës dhe ligjeve në fuqi, për të garantuar rendin dhe sigurinë publike, përfshirë edhe mundësimin e lëvizjes së lirë të njerëzve dhe të mallrave në të gjitha pikat e kalimit kufitar”, vijon sqarimi për media i forcave të rendit.

Sipas Policisë së Kosovës, një informacion i tillë, i pavërtetë dhe tendencioz ka për qëllim dezinformimin e opinionit, nxitjen dhe krijimin e pasigurisë tek qytetarët dhe plotësimin e ambicieve të orientuara nga politikat e ndryshme nga jashtë.

“Referuar informacioneve zyrtare, të verifikuara mirë dhe saktë nga terreni, një rast i tillë nuk ka ndodhur fare, jo vetëm në pikën kufitare në Bërnjak por as edhe në ndonjë lokacion apo pikë tjetër kufitare, andaj kjo është vetëm një informatë e pavërtetë dhe  tendencioze”, thuhet në fund të komunikatës.