Policia e Kosovës demanton lajmet për arrestimin e shtetasit turk

Gjatë ditës së sotme të shumta kanë qenë raportimet e mediave në Kosovë të cilët kanë treguar për një arrestim të një shtetasi turk, Fatih Ozer, i dyshuar për mashtrim me kryptovaluta.

Ozer pas fillimit të hetimit ndaj tij ishte arratisur nga Turqia ndërsa sot është raportuar se i njëjti është arrestuar.

KALLXO.com ka kërkuar nga Policia e Kosovës të dijë nëse personi i kërkuar nga Turqia, Fatih Ozer, është arrestuar mbrëmë ashtu siç kanë raportuar mediat turke dhe ato kosovare.

Në një përgjigje të shkurtër për KALLXO.com, Zyra për Media e Policisë së Kosovës ka thënë se nuk e kanë një informacion të tillë për arrestimin.

“Referuar kërkesës suaj ju informojmë se, deri më tani nuk kemi ndonjë informacion zyrtar për arrestimin e tij në Kosovë”, thuhet në përgjigjen e Policisë për KALLXO.com.