Policia e Kosovës blindon një veturë me rreth 30 mijë euro

Blindimi i një veture të tipit Toyota i ka kushtuar Policisë së Kosovës plot 29 mijë e 400 euro. Në fillim të muajit prill, Policia e Kosovës ka njoftuar se ka kontraktuar një kompani për të kryer këtë punë.

KALLXO.com ka kërkuar sqarime nga ana e Policisë së Kosovës se për cilat arsye është kërkuar blindimi i veturës për të cilën nuk ka pasur njoftim për dhënie të kontratës pasi që ka qenë e negociuar.

Ata nuk kanë dhënë ndonjë informacion nëse kjo veturë është e destinuar për ndonjë zyrtar të caktuar.

PK në përgjigjen për KALLXO.com ka thënë se veturat e blinduara shfrytëzohen sipas nivelit të rrezikshmërisë.

“Policia e Kosovës posedon automjetet të llojeve/tipeve të ndryshme të cilat shfrytëzohen për kryerjen e detyrave zyrtare të përcaktuara me ligj. Veturat zyrtare përdoren nga zyrtarë policorë të njësiteve apo profileve të ndryshme të PK-se, varësisht nga detyra apo njësia se ku shërbejnë, përfshirë edhe shfrytëzimin e automjeteve të blinduara të cilat shfrytëzohen sipas nivelit të rrezikshmërisë”, thuhet në përgjigjen e PK-së.

Ky aktivitet i prokurimit është realizuar me procedurë të negociuar dhe pa publikim të njoftimit për kontratë.

Më 7 prill, Policia e Kosovës e ka nënshkruar kontratën me kompaninë “Autotrade SHPK”.

I gjithë tenderi parashikohej që të kushtonte 30 mijë euro ndërsa, kompania “Autotrade” e ka fituar kontratën me ofertën e dhënë prej 29 mijë e 400 eurove apo 600 euro më lirë se vlera e parashikuar.

Policia e Kosovës ka kërkuar që vetura e tipit Toyota, duhet të ketë blindimin transparent ndërsa xhamat e dyerve prapa duhet të jenë të errësuara.

“Autotrade SHPK” që nga viti 2018 është shpërblyer me disa kontrata nga institucione të ndryshme, si KEK, Komuna e Prishtinës, Dogana e Kosovës, Shërbimi Korrektues i Kosovës por edhe nga Policia e Kosovës.