Besnik Sallahu, zyrtar ndërlidhës i Policisë së Kosovës në EUROPOL - Foto: Policia e Kosovës/ Facebook
Policia e Kosovës bëhet me zyrtar ndërlidhës në EUROPOL
Policia e Kosovës ka bërë të ditur se ka dërguar zyrtarin e parë ndërlidhës në Agjencinë e Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit – EUROPOL.
Sipas njoftimit të Policisë, zyrtari ditë më parë ka filluar zyrtarisht punën. PK ka konfirmuar për KALLXO.com se këtë pozitë e ka marrë major Besnik Sallahu.
“Policia e Kosovës (PK), në vazhdën e avancimit dhe rritjes së mëtejme të kapaciteteve në fushën e bashkëpunimit ndërkombëtar policor, konkretisht të bashkëpunimit me EUROPOL-in, tani më ka dërguar zyrtarin e parë ndërlidhës në EUROPOL, i cili ditë më parë ka filluar zyrtarisht detyrën”- thuhet në njoftim.
Policia thotë se qëllimi i tyre vazhdon të mbetet avancimi i mëtejmë i bashkëpunimit të drejtpërdrejtë me EUROPOL-in.
Sipas Policisë ky ndihmon dhe ndikon në lehtësimin e komunikimit dhe krijimit të një partneriteti të drejtpërdrejtë, duke përfshirë edhe koordinimin e aktiviteteve të përbashkëta ndërmjet EUROPOL-it dhe institucioneve të zbatimit të ligjit, në angazhimin e vazhdueshëm të luftës së përbashkët kundër terrorizmit, krimit të organizuar dhe të gjitha formave tjera të krimit.
EUROPOL-i është Agjencia e Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit. Ndryshe edhe si Policia Evropiane, ndërsa ka selinë në Hagë.
Kjo agjenci mbështet 27 vendet anëtare të Bashkimit Evropian, në luftën e tyre kundër terrorizmit, krimit kibernetik dhe formave të tjera të krimeve të rënda dhe krimit të organizuar.