Ilustrim

Policia e Kosovës arreston 10 persona, konfiskon afro 60 kilogramë drogë

Drejtori i Njësisë Antidrogë, Bahri Shala, në një konferencë për media ka treguar se Policia e Kosovës ka arrestuar dhjetë persona të përfshirë në rrjete kriminale të trafikimit me substanca narkotike të llojeve të ndryshme.

Sipas drejtorit Shala, Policia ka arrestuar të dyshuarit në tri operacione të ndryshme të realizuara mbrëmë.

Sipas tij, operacionet janë realizuar në Fushë-Kosovë, Gjakovë dhe në fshatin Xërxë, në magjistralen Gjakovë- Klinë.

“Vetëm në 24 orët e fundit, Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me narkotikë ka realizuar tri operacione në lokacione të ndryshme në Kosovë. Ne operacionin e parë janë identifikuar një grup kriminal të cilët e kanë zhvilluar aktivitetin e tyre për trafikim të substancave narkotike nga Ballkani, në drejtim të vendeve të BE-së.  Në këtë rast Policia ka arrestuar katër persona të dyshuar, tre shtetas të Kosovës dhe një shtetas të Shqipërisë, në operacionin e realizuar në rrugën Gjakovë-Klinë, në fshatin Xërxë. Me këtë rast janë konfiskuar 57.5 kilogramë substancë narkotike e dyshuar e llojit marihuanë, tre automjete, katër telefona dhe para të ndryshme, një revole dhe dëshmi të tjera që mund të përdorën në procedurë penale”, tha Shala.

Tek operacioni i dytë, sipas tij, janë arrestuar pesë të dyshuar, katër shtetas të Kosovës dhe një i Serbisë, të cilët i kanë zhvilluar aktivitetet e tyre kriminale në shpërndarjen e narkotikëve në nivel vendi – këtu janë konfiskuar 500 gramë drogë e llojit amfetaminë, 200 gramë marihuanë dhe gjësende të tjera.

Në lokacionin e tretë, Policia ka arrestuar një person si dhe ka konfiskuar 500 gramë marihuanë dhe 6.17 gramë kokainë, një automjet, një telefon dhe një peshore.