Policia e heton për kryengritje Presidentin e Koresë Jugore

Policia e Koresë Jugore po e heton presidentin Yoon Suk Yeol me dyshimin për kryengritje për shkak të shpalljes së përkohshme “të gjendjes së jashtëzakonshme” në vend –  ka bërë të ditur televizioni britanik, BBC.

Yoon suspendoi kompetencat e institucioneve civile me pretendimin se vendi po rrezikohej nga ata që i quajti “elemente anti-shtetërore”. Por, nuk ofroi asnjë dëshmi – pos që ngriti dyshime për rrezik nga Koreja Veriore.

Ndërkohë gjatë ditës, deputetët i kanë marrë në pyetje shumë zyrtarë të Ushtrisë. Tashmë po bëhet e ditur se pak njerëz kishin njohuri për planin. Zëvendësministri i Mbrojtjës ka thënë se vetëm në lajme kishte marrë vesh për planin “e gjendjes së jashtëzakonshme”.

Vendimi i Presidentit shkaktoi reagime të forta të opozitës, por edhe të disa zyrtarëve e deputetëve të partisë së tij në pushtet.

Më herët gjatë ditës, presidenti Yoon pranoi dorëheqjen e ministrit të Mbrojtjës, Kim Yong-hyun, i cili kërkoi falje për rolin e lëvizjen e së martës mbrëma – që shkaktoi tronditje në Korenë demokratike.

Yoon ende nuk ka folur publikisht pas votimit të së mërkurës mbrëma në Parlament nga opozita e disa deputetë pushteti, për ta përmbytur vendimin “e gjendjes së jashtëzakonshme”. Vetë Yoon është nën presion të madh që të japë dorëheqje.

Opozita tashmë ka dorëzuar mocionin për votimin e procedurës për shkarkimin e tij. Seanca e votimit pritet të votohet të shtunën. Opozitës i duhen edhe votat e pushtetit, por Partia e Pushtetit Popullor e Yoonit ka bërë të ditur se nuk do të votojë për shkarkimin e Presidentit.

 

Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com