Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Policia e Gjakovës nuk ia gjeti adresën Pal Lekës, dështon seanca ndaj tij

Në gjykatën e Prishtinës ka dështuar të mbahet gjykimi ndaj ish ministrit të infrastrukturës Pal Lekaj i akuzuar për hedhjen e gazit lotsjellës në vitin 2015.
Arsyeja për dështimin e seancës erdhi si pasojë e mungesës së Pal Lekaj.

Gjykata njoftoi se nga policia e stacionit policor në Gjakovë të njëjtit i ka dërguar ftesë në adresën siç është cekur në urdhëresë mirëpo në fletë kthesë ka rezultuar se pala është e panjohur.

“Pal Lekaj mungon edhe pse gjykata ka bo verifikimin e adresës për Pal Lekajn nga policia në Gjakovë sipas urdhëresës së lëshuar nga gjykata të njëjtit i është dërguar ftesa në adresën siç është cekur në urdhëresë mirëpo nga flet-kthesa rezulton që pala është e panjohur”- tha gjyqtarja e rastit.

Njoftim gjykatës i kishte dërguar edhe mbrojtësi i Lekajt, Arianit Koci me kërkesën që të shtyhet seanca pasi që i njëjti gjendet në udhëtim jashtë vendit

“Ndërsa mbrojtësi i tij Arianit Koci është ftuar në mënyrë të rregullt mirëpo me anë të parashtresës e ka njoftuar gjykatën që i njëjti është në udhëtim jashtë vendit dhe ka bo kërkesë për shterjen e seancës”- tha tutje Gjykata

Seanca e radhës u caktua më datën 18 maj të këtij viti.

Sipas aktit akuzues prokuroria po e ngarkon ish ministrin e infrastrukturës Pal Lekaj për veprën penale të përdorimit të armës apo mjetit të rrezikshëm

I njëjti sipas aktakuzës në vitin 2015 në hollin e kuvendit ka përdorur gazin lotsjellës.

I njëjti në mënyrë kërcënuese e ka përdorur gazin, të cilin e ka hedhur në kuvend me qëllim të pengimit të punës së deputetëve të kuvendit të Kosovës.

E pas hedhjes së gazit seanca ishte ndërprerë për disa minuta për shkak të kontaminimit të ambientit ku më pas deputetët ishin detyruar të largohen nga holli dhe kuvendi i Kosovës.

Raportime të ngjashme të KALLXO.com – LINK