Policia e Ferizajt shqiptoi 4,468 gjoba të trafikut në muajin nëntor

Drejtoria Rajonale e Policisë në Ferizaj gjatë muajit nëntor ka shqiptuar 4 mijë e 468 gjoba.

Tiketat e shqiptuara kanë qenë në kuadër të aktiviteteve në parandalimin e aksidenteve në komunikacionin rrugor.

“Patrullat e policisë rajonale, në veçanti patrullat e NJRKRR-së, përveç se me uniformë, janë angazhuar edhe me automjete dhe rroba civile në lëvizje nëpër lokacione të ndryshme, në identifikimin e shoferëve të cilët shkaktojnë kundërvajtje të ndryshme në komunikacion”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.

Gjobat e shqiptuara nga Policia e Kosovës kanë të bëjnë me mosrespektim të shpejtësisë së kufizuar, përdorimit të telefonit gjatë vozitjes, për mosvendosje të rripit të sigurisë, vozitje pa patentë shofer, për xhama të errët, kyçje të parregullt në rrugë kryesore, për vozitje në gjendje të dehur etj.