Foto: Ilustrim

Policia e Ferizajt në aksion kundër prerësve ilegalë të pyjeve

Policia e Ferizajt dje dhe sot kanë shoqëruar në stacione policore 8 persona dhe kanë konfiskuar 8 mjete të ndryshme transporti dhe sasinë e druve që po transportoheshin me to.

Ky aksion i Policisë është ndërmarrë në kuadër të planit operativ “Mbrojtja e pyjeve 2020”, i ndërmarrë kundër prerësve ilegalë të pyjeve dhe transportimit ilegal të druve.

Tutje, Policia njofton se për këtë janë informuar inspektorët e Ministrisë së Bujqësisë-Agjencia Pyjore e Kosovës, të cilët kanë shqiptuar 8 fletëparaqitje për transportim ilegal të druve, si dhe kanë bërë konfiskimin e masës drunore.

Nga ana e Policisë, gjatë kontrollimit të dokumentacionit ka rezultuar se të gjitha mjeteve transportuese u kishte skaduar afati i regjistrimit dhe ndaj ngasësve  janë shqiptuar tetë fletëparaqitje për kundërvajtje.

Plani operativ është në vazhdim, njofton Policia e Ferizajt.