Policia e Durrësit gjatë aksionit për arrestimin e të dyshuarve. Foto kortezi: Policia e Durrësit.

Policia e Durrësit arreston 8 persona për shpërndarje kokaine në lokale

Policia e Durrësit njoftoi se kishte goditur 2 grupe kriminale që shpërndanin lëndë narkotike në zonën e Durrësit dhe të Sukthit, duke arrestuar 8 persona.

Të arrestuarit dyshohet se lëndën narkotike e shpërndanin në lokale të përshtatura edhe për konsumimin e saj si dhe në ambientet e jetës së natës në Durrës.

Përgjatë 6 muajve, autoritetet kishin mbledhur prova për veprimtarinë e tyre dhe në operacionin të koduar “Foremost” arrestuan 4 persona që e shpërndanin drogën në zonën e Sukthit. Katër persona të tjerë u arrestuan gjatë operacionit “Last deal”, të cilët akuzohen për shpërndarje kokaine në qytetin e Durrësit.

Në deklaratën e policisë të shpërndarë për mediat thuhet se të akuzuarit vepronin si grupe kriminale dhe ju sekuestruan një sërë provash, si 1 pako me kokainë me peshë 130 gramë, 40 doza me kokainë, 3 automjete, 96 mijë lekë, shuma të tjera në euro, franga dhe paund, peshore elektronike, doreza hekuri dhe aparate celulare.

Policia tha se kishte arrestuar një 48-vjeçar me inicialet G.M, një 43-vjeçar si dhe dy të rinj të moshës 17 dhe 24 vjeç.

‘Nga hetimet me metoda proaktive ka rezultuar se shtetasi G. M. kishte rolin e furnitorit me lëndë narkotike kokainë, për këta shtetas, të cilët, pasi e blinin atë, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, e shpërndanin në zonën e Sukthit dhe të Durrësit, si edhe në lokalet e natës në qytetin e Durrësit,’ thuhet në njoftim.

Ndërsa në grupin e dytë policia arrestoi disa të rinj, mes të cilëve edhe një vajzë. Ata akuzohen për veprat penale “Përshtatja e lokalit për përdorim droge”, “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, kryer në bashkëpunim dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja e armëve të ftohta”.