Ilustrim

Policia dyshon për kidnapim të një 27-vjeçari nga fshati Rud i Malishevës

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës në Rajonin e Gjakovës, Nysret Xhurkaj ka njoftuar se janë duke u zhvilluar kërkime për gjetjen e një të riu nga fshati Rud i komunës së Malishevës, i cili dyshohet se është kidnapuar.

Xhurkaj ka thënë se familjarët kanë pranuar një fotografi të një personi të lidhur me litar por nuk dihen më shumë detaje për këtë fotografi.

“Patrullat Policore nga Stacioni Policor Malishevë dhe disa bashkëfshatarë janë kërkim të tij, sipas informacioneve dyshohet se bëhet fjalë për kidnapim (familjarët kanë pranuar një foto të një personi i cili ishte i lidhur me një litar, edhe pse nuk dihet lokacioni dhe koha e fotos”, ka thënë Xhurkaj për KALLXO.com.

Më tej ai ka thënë se në kërkimin e të riut pritet të angazhohet edhe njësia K-9.

Sot në orën 09:00 në Stacionin Policor – Malishevë, vëllai i personit të zhdukur e ka raportuar rastin. Ai ka thënë se dje, më 21 nëntor rreth orës 17:00, vëllai i tij, J.Sh.R,  i lindur në vitin 1993  kishte dalë nga shtëpia në fshatin Rud.

Personi i zhdukur është kërkuar edhe tek të afërmit e tyre por familjarët nuk kanë mundur të kontaktojnë më me të, që kur ai ka dalë nga shtëpia.