Foto: Policia e Kosovës
Policia dhe qeveritarët vizitojnë familjen e Enver Zymerit dhe të Afrim Bunjakut
Në Ditën Memoriale të Heronjve të Policisë së Kosovës kushtuar policëve të rënë në kryerje të detyrës, Policia së bashku me një pjesë të kabinetit qeveritar vizituan familjen e rreshter Afrim Bunjakut dhe të policit Enver Zymeri.
Në vizitë të dy familjet dhe kapidari i vendosur për Enver Zymerin ishin kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, zëvendëskryeministri i Parë Besnik Bislimi, zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës Donika Gërvalla – Schwarz, ministri i Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla dhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë Kolonel Gazmend Hoxha së bashku me menaxhmentin e lartë të Policisë.
Tek këto vende u vendosen kurora me lule dhe përkujtuan e nderuan sakrificën e zyrtarëve policorë që kanë dhënë jetën e tyre për vendin, njofton Policia e Kosovës.
Përveç tyre, Policia ka njoftuar se vizita janë bërë te familjet e heronjve të Policisë së Kosovës, janë bërë edhe në nivel të drejtorive rajonale nga drejtorët rajonal me stafin e tyre.
Po ashtu personalitetet e larta dhe stafi i lartë menaxhues i PK-së morën pjesë edhe në aktivitetin e garave profesionale të kërcimit në nderim të policëve të rënë në kryerje të detyrës tek Liqeni i Ujmanit.
“Zyrtarët e rënë në kryerje të detyrës janë heronjtë e Kosovës dhe kontributi i tyre do të mbetet i përjetshëm në historinë e Policisë së Kosovës dhe të gjithë vendit tonë”- shkruan Policia.
Enver Zymeri i vrarë në vitin 2011, gjatë aksionit të Policisë së Kosovës për marrjen nën kontroll të pikave kufitare 1 dhe 31, është njëri nga 23 policët e rënë në detyrë.I vrari i fundit në detyrë është rreshteri Afrim Bunjaku. Ai u vra më 26 shtator 2023, gjatë një sulmi terrorist që u krye në Banjskë të Zveçanit nga një formacion i organizuar serb.
Ditën Memoriale të Heronjve të Policisë së Kosovës, Sindikata e Policisë i ka publikuar fotografitë e 23 policëve të rënë në detyrë që nga viti 2001.
21 policët tjerë që u publikuan nga Sindikata janë: Lazim Rexhepi, Danush Hasani, Hajdar Ahmeti, Sebahate Tolaj, Isuf Haklaj, Arsim Rrustolli, Ilir Llapatinca, Driton Mehana, Abedin Mustafa, Avni Kasumi, Triumf Riza, Slavisa Milovanovic, Misin Krasniqi, Jahi Maliqi, Nebih Ramadani, Shemsi Gashi, Armend Trena, Malsor Dashi, Izet Demaj, Sami Thaqi dhe Arben Sejdiu.