Policia dhe inspektorët aksion në Pejë kundër shkelësve të masave kundër COVID-19
Policia e Kosovës dhe inspektorët e Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë janë duke zhvilluar një aksion në rajonin e Pejës për të kontrolluar a po respektohen masat kundër pandemisë COVID-19.
Aksionin e ka konfirmuar për KALLXO.com zëdhënësi i AUV-it, Lamir Thaçi.
Ai ka bërë të ditur se deri më tani janë gjobitur shtatë lokale.
“Sot kemi qenë në inspektim në regjionin e Pejës. Kemi filluar inspektimet në qytetin e Pejës. Gjatë inspektimeve kemi hasur në shtatë shkelës deri më tani, po flas gjithmonë për persona juridikë dhe ndaj të gjithëve janë shqiptuar masa ndëshkimore me gjobë. Me një rast, në një lokal përveç gjobës nuk ka respektuar urdhërat e inspektorit dhe jemi detyruar, e kemi mbyllë për 24 orë lokalin”, theksoi ai.
Sipas Thaçit, kryesisht shkeljet kanë qenë mosrespektim i masave dhe moskrijimi i kushteve për mbajtje të distancës mes tavolinave dhe ka pasur më shumë persona sesa që është lejuar brenda lokaleve.
“Sonte aksioni në regjionin e Pejës po vazhdon dhe pas orës 12:00, do të shikojmë edhe masat e reja që do të hyjnë në fuqi në ora 12:00 se si po shkon respektimi i tyre dhe jemi në bashjëpunim me Policinë nëpër qytetin e Pejës në këto momente”, shtoi ai.
Në lidhje me këtë aksion, KALLXO.com ka kontaktuar edhe Policinë e Kosovës në Pejë dhe është në pritje të përgjigjes së tyre.
Për shkak të situatës me pandeminë, Qeveria e Kosovës ka marr vendim mes tjerash, për kufizim të lëvizjes së qytetarëve nga ora 22:00 deri në ora 05:00, si edhe për mbylljen e gastronomisë dhe qendrave tregtare.