Policia e Kosovës në afërsi të pikës kufitare në Jarinjë

Policia demanton mediat serbe: Në veri përveç policëve nuk ka pjesëtarë të institucioneve tjera të sigurisë

Policia e Kosovës përmes një komunikate për media ka demantuar disa media serbe ku thuhej se në veri të Kosovës përpos pjesëtarëve të Policisë po operojnë pjesëtarë edhe të institucioneve të tjera të sigurisë.

Në komunikatë potencohet se në veri të vendit janë të inkuadruar vetëm pjesëtarë të Policisë, kurse shkrimet në mediat serbe janë quajtur spekulime.

“Në operacionin policor i cili është duke u realizuar në nivel vendi, përfshirë në pjesën veriore të Republikës së Kosovës, janë të inkuadruar vetëm zyrtarë të Policisë së Kosovës, përderisa pretendimet dhe spekulimet e disa mediumeve serbe se në këtë operacion janë të involvuara edhe agjensione tjera të sigurise janë të pavërteta”, thuhet në komunikatë.

Policia thekson se si institucion i zbatimit të ligjit, bazuar në detyrat dhe autorizimet e saj ligjore dhe kushtetuese është e përkushtuar në mbajtjen e rendit, garantimin e sigurisë publike si dhe ndër të tjera menaxhimin dhe kontrollin e qarkullimit kufitar në nivel vendi.