Foto; KALLXO.com

Policia del me sqarim për intervistimin e gazetarit Alban Muhaxheri

Policia e Ferizajt ka dalë më një sqarim për intervistimin e Alban Muhaxherit, gazetarit të “Indeksonline” në stacionin policor në Kaçanik.

Sipas tyre, rasti ka të bëjë me postimin e një materiali në rrjete sociale në faqen “S’je Kaçanikli nëse?” dhe portalin “Indeksonline”, ku ishte shkruar në lidhje me një ekran reklamues, duke ia bashkangjitur foton e një zyrtari policor.

“Më 26.12.2021 rreth orës 20:00 në rrjetin social tek faqja “S’je Kaçanikli nëse?”, është bërë një postim në këtë faqe, ku aty ishte shkruar në lidhje me një ekran reklamues që ishte vendosur në një mur, pjesë e një objektit të një barnatore. Ky ekran kishte ndriçim të madh dhe se ishte duke i terrorizuar qytetarët’. Njëherit këtij postimi i është bashkangjitur fotoja e ekranit dhe një foto e zyrtarit policor V.B (M/K) me uniformë zyrtare”, thuhet nga Policia.

Sipas policisë, në mediat e lartpërmendura janë apostrofuar tre zyrtarë të stacionit polcior në Kaçanik.

Lidhur me këtë, me vendim të prokurorit nga Prokuroria  në Ferizaj, është ftuar për intervistim gazetari Alban Muhaxheri dhe më pas është liruar në procedurë të rregullt.

“Në lidhje me këto shkrime me vendim të prokurorit nga Prokuroria Themelore në Ferizaj, nga policia e Kaçanikut është ftuar për intervistim A. M ( M/K) dhe i njëjti është paraqitur në stacionin policor në Kaçanik.  Pas intervistimit nga policia, me vendim të prokurorit është hapur rast “Vjedhja e identitetit dhe pajisja e qasjes” dhe më pas është liruar për procedurë të rregullt hetimore”, thonë tutje nga policia.

Sipas tyre, të gjitha veprimet e policisë kanë qenë me autorizim të Prokurorisë Themelore të Ferizajt dhe intervista e zhvilluar ndaj  A. M ka qenë sipas normave dhe rregullave ligjore për intervistim.

Kurse, për faktin që në shkrime të portaleve përmenden edhe emrave të zyrtarëve policor, është njoftuar edhe Inspektorati Policor për procedura të mëtejme.

Gazetari dhe redaktori i “Indeksonline”, Alban Muhaxheri, po pretendon se është kërcënuar në lidhje me një shkrim që ai e ka publikuar për një biznes të një polici.

Ai tha se i është kërkuar të largojë shkrimin ose shkon 48 orë në mbajtje.

Në lidhje me këtë ka reaguar edhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK).