Policia deklarohet për provën e djeshme për protestë në shesh të Prishtinës

Policia e Kosovës në raportin 24 orësh e ka quajtur protestë mbledhinë e njerëzve dje në sheshin e Prishtinës. Megjithatë nga organizatorët ajo u quajt provë për protestë.

“Dje në sheshin Skënderbeu të kryeqytetit, rreth orës 14:00 disa persona të shoqërisë civile kanë protestuar duke e mbajtur distancën, të cilët kanë qëndruar rreth 20 minuta në shesh dhe pastaj janë shpërndarë të qetë”, është përshkrimi që policia i ka bërë ngjarjes.

Ish-kandidati për deputet dhe anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje, Valdrin Ahmeti dje  ka dhënë detaje për organizimin e provave për protesta.

Ahmeti ka shkruar në Facebook se janë bërë prova për protestë nga rreth 500 persona, sipas tij, në formë të kujdesshme e të kufizuar.

“Ditëve në vijim do ta bëjmë një provë me 1500 vetë. Protesta është e drejtë esenciale në një shoqëri demokratike, dhe mbarëvajtjen e saj në kuptimin e organizimit nganjëherë duhet ta garantojmë vet ne qytetarët”, ka shkruar Ahmeti.

VIDEO- ‘Prova për protestë’ në shesh të Prishtinës