Policia deklarohet lidhur me deklaratën e Bekim Jasharit për ndërrimin e policëve në ditën e zgjedhjeve

Bekim Jashari, kryetar i Komunës së Skenderajt, në një intervistë për KALLXO Përnime deklaroi të hënën se në ditën e zgjedhjeve më 17 tetor, në Skenderaj nuk ka punuar asnjë zyrtar policor i kësaj komune.

Sipas Jasharit, policët e Skenderajt punuan në Mitrovicë dhe Vushtrri kurse ata të Skenderajt, në Vushtrri.

“Për herë të parë pas luftës, ndërrohen në Skenderaj, komplet policia e Skenderajt shkojnë në Mitrovicë e në Vushtrri e të Vushtrrisë vinë në Skenderaj. Veç komandanti i Policisë ka qenë i Skenderajt ditë ne zgjedhjeve”, ka thënë Jashari.

KALLXO.com ka dërguar pyetje në drejtim të Zyrës për Informim të Policisë së Kosovës, lidhur me pretendimet e Jasharit.

Sipas Policisë, mund të ketë zyrtarë policorë nga Prishtina që punojnë në qytet të ndryshme varësisht nga nevojat, “po ashtu ka asistime edhe brenda vete DRP-ve, nga një Stacion Policor në tjetrin”.

“Policia e Kosovës ka hartuar dhe zbatuar Urdhrin Operativ ‘Zgjedhjet komunale 2021’. Ka ndërmarrë hapa të nevojshme për mbarëvajtje të procesit zgjedhor në aspektin e sigurisë, përfshirë inicimin e çdo rasti që përmban elemente që bie ndesh me Kapitullin XVIII të Kodit Penal ‘Veprat penale kundër të drejtave të votimit’”, thonë nga policia.

“Për të plotësuar nevojat operacionale gjatë ditës së votimit, çdo herë policia angazhohet me orar 12 orësh dhe angazhon numër të mjaftueshëm të zyrtarëve në detyra siç parashihen me plan”, thuhet në përgjigje të policisë.

Policia ka njoftuar se në Skenderaj ka arrestuar gjatë persona, janë sekuestruar gjashtë armë, e njëra prej tyre, kallashnikov.

”Pas shpalljeve së rezultateve të zgjedhjeve, në Skenderaj (pasi ju interesoheni për atë rajon), gjatë festimeve ka pasur edhe gjuajtje me armë në ajër ‘për të festuar’. Policia, ka mbledhur dëshmi dhe në bazë të tyre ka arritur që më 19.10.2021, të inicioi shtatë raste ‘shkaktim i rrezikut të përgjithshëm’ dhe ‘mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve’. Policia ka arrestuar gjashtë persona, janë sekuestruar gjashtë armë, njëra prej tyre e gjatë (AK-47)”, ka njoftuar Policia e Kosovës.

KALLXO.com ka raportuar më 17 tetor, se pas publikimit të rezultateve, simpatizues të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) kanë festuar me armë zjarri në sheshin Adem Jashari në Skenderaj.

Një person mbeti i plagosur nga ato të shtëna, por që deri më sot nuk është bërë e ditur nëse dikush është arrestuar.

Dy ditë më pas, Policia njoftoi për disa arrestime tjera për festim me armë zjarri në ditën e zgjedhjeve në Skenderajt.

Kryetari në largim Bekim Jashari në intervistën për KALLXO Përnime tha se kishte telefonuar ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla që ky i fundit të jap urdhër për të dërguar njësitë speciale tek festa në Skenderaj. Gjithashtu kishte pretenduar se ani pse kishin ardhur njësia speciale, nuk ndërhynë fare në festën ku po gjuajshin me armë zjarri.

Për këto deklarata, KALLXO.com ka provuar që të marrë një prononcim nga ministri Sveçla por që i njëjtë nuk është përgjigjur e as nuk e ka hapur telefonin.

Jashari: E kam thirrur Xhelal Sveçlën me e dërgu Njësinë Speciale te festa e PDK-së