Policia daneze: Ngjarja në qendrën tregtare nuk ishte sulm terrorist

Policia në Danimarkës beson se sulmi me armë zjarri në një qendër tregtare ku si pasojë u vranë tre persona dhe katër të tjerë u plagosën rëndë, nuk ka të bëjë me terrorizëm. Autoritetet thanë sot gjithashtu se autori i sulmit, i cili është arrestuar në vendngjarje, ka vepruar i vetëm e pa një plan të paramenduar.

Sulmi me armë zjarri në një qendër tregtare në periferi të Kopenhagës cilësohet si pa paramendim. Kryeinspektori i policisë së kryeqytetit danez tha se autori i dyshuar për sulmin, ka vepruar i vetëm pa ndonjë plan konkret, ndërsa ka qëlluar në mënyrë të rastësishme ndaj të viktimave të tij.

“Ne do të ngremë një akuzë paraprake për vrasje pa paramendim. Asnjë e dhënë nga hetimet që kemi kryer deri tani, nga dokumentet që kemi shqyrtuar, gjërat që kemi gjetur, apo deklaratat e dëshmitarëve që kemi marrë, nuk mund të vërtetojë se kemi të bëjmë me një akt terrorist”, thotë zoti Thomassen.

Kryeinspektori i policisë së Kopenhagën konfirmoi se viktimat janë një djalë dhe një vajzë, të dy 17-vjeçar, të dy me shtetësi daneze si dhe një shtetas rus, 47-vjeç. Ata u vranë kur i armatosuri, një 22 vjeçar që u arrestua në vendin e ngjarjes, hapi zjarr të dielën pasdite në qendrën tregtare Field, një nga qendrat më të mëdha në gjithë Skandinavinë.

Katër persona të tjerë janë plagosur, gjendja e të cilëve cilësohet si kritike, por e qëndrueshme. Disa persona të tjerë kanë marrë lëndime të lehta teksa përpiqeshin të largoheshin nga qendra tregtare.

Dëshmitarët e intervistuar nga mediat thonë se situata ishte kaotike dhe njerëzit vraponin të coroditur pa ditur se ku shkonin.

“Kur policia mbërriti në vendngjarje njerëzit vazhdonin të vraponin. Ishte panik, nuk ishte e qartë se çfarë po ndodhte”, thotë zonja Stolz një prej dëshmitareve të ngjarjes.

Kryeminsitrja daneze, Mette Frederisken, tha se vendi u godit nga një “sulm mizor”.

Të dielën në mbrëmje, këngëtari britanik, Harry Styles anuloi koncertin e tij që pritej të mbahej në afërsi të qendrës tregtare ku ndodhi sulmi me armë. Në profilin e tij në Twitter këngëtari i shprehu ngushëllime banorëve të Kopenhagës dhe familjarëve të viktimave të prekur nga incidenti i përgjakshëm./VOA