Foto: Pixabay
Policia britanike mobilizohet pas paralajmërimeve për trazira
Policia po përgatitet për trazira të tjera të mundshme në mbarë Anglinë pas raporteve se së paku 30 protesta mund të mbahen të mërkurën (07.08.2024), ka raportuar televizioni britanik, BBC.
Pothuajse 6 mijë zyrtarë policorë janë mobilizuar, kanë thënë burime brenda forcave policore.
Kryeministri Keir Starmer u ka premtuar komuniteteve se do të jenë të sigurta dhe se protestuesit e dhunshëm do të përballen me forcën e ligjit.
Kaosi ka shpërthyer në qytete në mbarë vendin javën e kaluar pas therjes fatale të tri vajzave të vogla në Southport – me trazirat të nxitura edhe prej informacioneve të rrejshme online se sulmuesi ishte një azilkërkues.
Shumë protestues të dhunshëm pritet të dalin gjatë ditës para drejtësisë. Personi i parë për trazirat është burgosur të martën (06.08.2024) me vendim të gjykatës.
BBC-ja shkruan se edhe Ambasada tajlandeze i ka paralajmëruar qytetarët e saj që udhëtojnë në Mbretërinë e Bashkuar që të kenë kujdes për shkak të trazirave të mundshme të lidhura me therjen e tre fëmijëve.
Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com