Screenshot: RTV Besa

Policia bastis shtëpinë e të dyshuarit për grisjen e Kuranit

Policia e Kosovës ka njoftuar se është bastisur shtëpia e personit i cili dyshohet se ka grisur librin e shenjtë të myslimanëve – Kuranin.

Në njoftimin e forcave të rendit konfirmohet se i njëjti është arrestuar si i dyshuar për veprën penale: “nxitja e urrejtjes, përçarjes, ose mosdurimit kombëtar, racor, fetar apo etnik”.

Ai po ashtu ka të kaluar kriminale – njofton Policia.

“Personi në fjalë ka të kaluar kriminale për: ‘vrasje’, ‘dhunë në familje’ dhe ‘kanosje’. Me Vendim të Prokurorit, i dyshuari pas intervistimit është dërguar në mbajtje për 48 orë.” – thuhet në njoftim.

Në disa imazhe që kanë kapur kamerat e sigurisë të cilat janë shpërndarë në rrjete sociale, më 03.03.2025, një burrë në Prizren shihet duke e grisur një libër, që dyshohet të jetë libri i shenjtë i myslimanëve – Kurani.

Policia ishte duke e hetuar rastin, ndërsa për rastin ishte njoftuar edhe Prokurori i Shtetit.

Prokuroria Speciale do të kërkojë paraburgim për të dyshuarin që grisi Kuranin në Prizren