Foto: KALLXO.com Ilustrim

Policia arreston tre të dyshuar për kontrabandë me mish derri dhe peshk

Tre persona janë arrestuar nga ana e policisë nën dyshimin për kontrabandë me mallra dhe dhënie ryshfeti.

Sipas njoftimit të bërë nga Policia e Kosovës, konkretisht Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, arrestimi i të dyshuarve është bërë gjatë ditës së djeshme.

Sipas policisë, policia në bashkëpunim e Prokurorinë Themelore në Ferizaj kanë filluar hetimet për këtë rast që nga data 4 tetor 2019, duke zbatuar masa të veçanta hetimore, me qëllim të nxjerrjes së provave dhe dëshmive për të dyshuarit e përfshirë  në veprat penale.

Pas grumbullimit të provave të nevojshme, dje policia e Kosovës ka realizuar operacionin policor, me ç’rast janë kapur në flagrancë tre persona të dyshuar duke kontrabanduar mallra.

Të arrestuarit në lidhje me këtë rast, B.J., 49 vjeçar, I.J,46 vjeçar, dhe A.J., 21 vjeçar.

Me urdhër të Gjykatës Themelore Ferizaj janë kontrolluar vendbanimet e personave të dyshuar, ku janë gjetur dhe janë sekuestruar sasi e konsiderueshme e paketimeve të peshkut të ngrirë dhe mishit të derrit, si dhe janë sekuestruar edhe dy automjetet me të cilat janë kontrabanduar mallrat.

Ndaj të dyshuarve është zbatuar masa e ndalimit me vendim të prokurorit të Prokurorisë Themelore.