Foto: Kallxo.com

Policia arreston tre persona për vjedhjen e dy ditëve më parë në Fushë-Kosovë

Dy ditë më parë, policia kishte pranuar një informacion për një vjedhje që kishte ndodhur në Fushë-Kosovë.

Një shtëpi ishte thyer ndërsa viktima kishte njoftuar se ishte sulmuar fizikisht nga tre persona të maskuar dhe të panjohur e madje i kishin vjedhur disa gjëra personale dhe dy telefona.

Policia e Kosovës gjatë ditës së sotme ka njoftuar se në bashkëpunim me prokurorinë, pas disa hetimeve kanë arritur që të lokalizojnë një shtëpi në Fushë-Kosovë, ku dyshoheshin se personat e lartëpërmendur ishin strehuar.

Pas marrjes së urdhrit, Policia e Kosovës ka bastisur shtëpinë dhe ka gjetur brenda tre të dyshuarit për grabitjen.

Gjithashtu PK ka njoftuar se gjatë bastisjes kanë gjetur dhe sekuestruar edhe rroba, maska, dy telefona dhe një sasi të substancave narkotike.

Gjatë hetimit të rastit, policia ka njoftuar se personat e njëjtë dyshohet se kishin qenë të përfshirë edhe në një rast tjetër për vjedhje të rëndë të ndodhur po ashtu në Fushë-Kosovë më 21 janar.

Prokurori i shtetit ndaj dy personave të arrestuar ka kërkuar ndalimin për 48 orë ndërsa kundër të dyshuarit të tretë i cili ka qenë i mitur, e ka liruar në procedurë të rregullt nën dyshimin për posedim të substancave narkotike.